Kryetari Hasani pjesëmarrës në Konferencën Vjetore për Diplomaci Kulturore

Kryetari Hasani pjesëmarrës në Konferencën Vjetore për Diplomaci Kulturore

Në shënim të 25 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, Kryetari i Gjykatës Supreme dr. sc. Fejzullah Hasani, ka marrë pjesë në Konferencën Vjetore për Diplomaci Kulturore 2014, që u mbajtë në Gjermani

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/Kryetari_F._Hasani_206318_434786.png

 Prishtinë, 9 nëntor 2014 – Në shënim të 25 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, Kryetari i Gjykatës Supreme dr. sc. Fejzullah Hasani, ka marrë pjesë në Konferencën Vjetore për Diplomaci Kulturore 2014, që u mbajt në Gjermani. 

Gjatë konferencës së titulluar “Një botë pa mure: Festimi i 25 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit”, kreu i Gjykatës Supreme, ka mbajtur një fjalim para të pranishmëve duke nënvizuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje historike për gjithë Evropën dhe botën. Ai u ka kujtuar të pranishmëve se momente gëzimi e lirie si në Berlin, i ka përjetuar, së fundmi, edhe vendi i tij. “Dhe vërtetë, rrëzimi i mureve e ndërtimi i urave ka qenë mesazhi të cilin ne e kuptuam nga zhvillimet që pasuan rënien e murit të Berlinit”, ka theksuar ai.  

Për kryetarin Hasani nuk është koincidencë që 25 vjetori i ribashkimit të Gjermanisë shënon gjithashtu edhe 15 vjetorin e kontributit të Gjermanisë, fillimisht për lirimin e Kosovës, e pastaj për paqe dhe stabilitet, të pasuar me investime të mëdha në rindërtimin e vendit, zhvillimin e ekonomisë dhe të infrastrukturës, për çka populli i Kosovës i është shumë mirënjohës. 

Duke folur për arritjet, kreu i Supremes, ka renditur edhe sfidat me të cilat po përballet Kosova. “Si një prej demokracive më të reja në botë, ngjashëm me situatat në vendet tjera pas konfliktit, ende ekziston një hendek në mes të sundimit të ligjit de jure dhe sundimit të ligjit in praxi. Republika është duke u përpëlitur me çështjet e zakonshme të qeverisjes në tranzicion: shkalla e lartë e papunësisë, sfidat komplekse dhe serioze të kontesteve pronësore, numri i madh i lëndëve gjyqësore të patrajtuara, krimi i organizuar, korrupsioni, lëndët e mbetura të krimeve të luftës të cilat ende nxisin ndasi, dhe e kaluara jonë politike”, ka potencuar ai, duke shtuar po ashtu se, populli i Kosovës është zotuar për t’i zbatuar reformat, zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin në shtegun i cili na shpie në Evropë, duke i kontribuar filozofisë evropiane të paqes, demokracisë, stabilitetit dhe harmonisë mes të gjithë njerëzve…”.

 Duke shprehur mirënjohjen ndaj shtetit gjerman, për kontributet e saj për paqe dhe stabilitet, në fund të fjalimit të tij, z. Hasani ka pohuar se “Si komb, ne jemi më i vjetri në regjion, por me i riu si shtet, i cili ende ka nevojë për udhëzime, ndihmesë, mbikëqyrje dhe mbi të gjitha për përfshirje në familjen evropiane. Populli i Kosovës është zotuar për të arritur zhvillimin dhe për t’i bërë ndryshimet pozitive. Ne jemi evropianë gjithashtu dhe me përpjekje të përbashkëta dhe të pandërprera, Kosova do të bëhet, ashtu siç edhe dëshiron, faktor i stabilitetit në Evropë”. 

Një ngjarje me rëndësi që karakterizoi vizitën e kryetarit Hasani, në Berlin, është edhe emërimi i tij si anëtar i Bordit Këshillëdhënës të organizatës prestigjioze “International Cultural Diplomacy”, me bazë në Berlin, Gjermani, e cila në mesin e saj mbledh figurat më eminente të jetës politike, shkencore e akademike.