Prishtinë, 25 mars 2025 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi mori pjesë në tryezën me titull “Konsistenca e Jurisprudencës dhe Harmonizimi i Praktikës Gjyqësore”, e organizuar nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë.
Në fjalën e tij kryesore, kryetari Rexhepi, mes tjerash sqaroi edhe rolin e Gjykatës Supreme në unifikimin e praktikës gjyqësore dhe garantimin e trajtimit të barabartë të të gjithëve para ligjit. Ai vuri theksin në rëndësinë e zbatimit të Udhëzuesit të Gjykatës Supreme, për matjen e dënimit. “Duke u siguruar që praktikat gjyqësore të ndjekin një qasje të unifikuar dhe të bazuar në ligj, udhëzuesi siguron që çdo vendim gjyqësor të jetë në përputhje me parimet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, u shpreh kryetari Rexhepi duke bërë me dije se ky udhëzues nuk e kufizon pavarësinë e gjyqësorit, por ndihmon në ruajtjen e integritetit të sistemit të drejtësisë dhe në forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit. Kreu i Supremes njoftoi të pranishmit edhe për përmbledhjet e praktikës gjyqësore, të botuara nga Gjykata Supreme, përmes të cilave, gjykatat e instancave më të ulëta, kanë mundësi të ndjekin një praktikë të njëjtë dhe të drejtë.
Kryetari Rexhepi shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me çdo mekanizëm ndërkombëtar brenda kornizës ligjore, për të shkëmbyer diskutime dhe praktika të ndryshme nga fushë-veprimtaria e gjykatës që drejton.
Pjesë e kësaj tryeze ishin krerët e institucioneve të drejtësisë, gjyqtarë e prokurorë, drejtues dhe përfaqësues të KE-së në Kosovë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Kjo tryezë u organizua në kuadër të projektit “Mbështetje për Gjykatën Kushtetuese në Zbatimin dhe Përhapjen e Standardeve Evropiane të të Drejtave të Njeriut – Faza II”, dhe gjatë saj, u paraqitën edhe gjetjet dhe rekomandimet e hulumtimit në lidhje me të drejtën për një gjykim të drejtë dhe sigurinë juridike, të kryer vitin e kaluar nga kjo zyre.