Prishtinë, 12 dhjetor 2024 – Është mbajtur takimi i përbashkët mes Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial, kryetarëve të gjykatave, kryeprokurorëve nga sistemi prokurorial në Kosovë si dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, z. Fejzullah Rexhepi në fjalën e tij të mirëseardhjes theksoi rëndësinë e takimeve të tilla, përmes të cilave mund të diskutohen çështje me rëndësi që lidhen me përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe mundësojnë përcaktimin e hapave të rinj drejt rritjes së efikasitetit, transparencës dhe besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Sipas kreut të Gjykatës Supreme, është e rëndësishme të diskutohet për zbatimin e reformave ligjore të vitit 2025, përfshirë kalimin e pakos së ligjeve në Kuvend, sipas Deklaratës së Përbashkët të Zotimit, të cilat janë thelbësore për avancimin e sistemit të drejtësisë. Pjesë e këtij procesi do të jetë edhe përmirësimi i sistemit SMIL, me fokus në mundësinë e koordinimit dhe komunikimit më të mirë ndërmjet Këshillit Gjyqësor, Këshillit Prokurorial, gjykatave dhe prokurorive.
“Po ashtu, diskutimi mbi Politikën Ndëshkimore është ndër temat më të rëndësishme të këtij takimi. Si një komponent kyç për një sistem drejtësie efikas, kredibil dhe të paanshëm, kjo politikë duhet të bazohet në parimet kushtetuese dhe ligjore. Në këtë drejtim, dy javë më parë, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane (OPDAT), Gjykata Supreme lansoi Udhëzuesin për Matjen e Dënimit, një dokument me rëndësi për unifikimin e praktikës gjyqësore dhe rritjen e cilësisë së vendimmarrjes”, u shpreh mes tjerash kreu i Supremes. Ai falënderoi partnerët e pranishëm ndërkombëtarë, për mbështetjen e tyre të çmuar dhe të vazhdueshme përgjatë reformave të shumta në drejtësi.
U.D. Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi, në fjalën hyrëse theksoi rëndësinë e takimit, duke pohuar se, “Kemi qenë unik në qëndrimet tona në ruajtjen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, kemi qenë unik në çështjet thelbësore për sistemin prokurorial dhe gjyqësor, dhe ky takim është finalizim i sukseseve tona të përbashkëta. Mirëpo, krahas sukseseve ne jemi të vetëdijshëm për hapat që duhet bërë për të avancuar sistemin e drejtësisë, për të pasur më shumë suksese, më shumë efikasitet, më shumë cilësi në punën tonë si gjyqtarë dhe prokurorë. Andaj, çështja e reformës në drejtësi e cila është adresuar në Komisionin e Venecias, çështja e efikasitetit të punës tonë, politika ndëshkimore, masat që janë duke u zbatuar për sigurimin e të pandehurve në procedurën penale, çështja e menaxhimit të rasteve në mënyrë elektronike do të jetë vetëm fillimi i diskutimeve tona. Gjithashtu, dua të theksoj se nuk mund të kemi drejtësi për qytetarët dhe të kemi një gjykim në kohë të arsyeshme deri sa kemi mungesës të numrit të prokurorëve, rrjedhimisht mos aprovimit të kërkesave buxhetore të sistemit prokurorial nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ, dhe kjo është shumë shqetësuese dhe po na paraqet pengesa në punën tonë të përditshme për të pasur efikasitet dhe për të mundësuar realizimin e të drejtave të qytetarëve për qasje në drejtësi”, u shpreh u.d. Kryeprokurori Kelmendi.
Ndërkaq, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Albert Zogaj duke folur për koordinimin dhe përgatitjen e sistemit gjyqësor dhe sistemit prokurorial për zbatimin e reformës gjatë vitit 2025, potencoi nevojën e koordinimit për pakon e reformës në drejtësi, e cila sipas tij, nuk është ideale por është reale, “përfaqëson punën e përbashkët dhe ka marrë dritën jeshile për të kaluar filtrin e Komisionit të Venecias”. Kryesuesi potencoi se “Kemi arritur në një fazë të rëndësishme të hartimit të kësaj reforme e cila ka kaluar përmes një iniciative të përbashkët”, ndaj, ai falënderoi gjyqtarët, prokurorët e përfshirë në këtë proces, drejtues të institucioneve dhe në mënyrë të veçantë partnerët ndërkombëtar, të cilët e kanë legjitimuar këtë nismë për sistemin e drejtësisë. Kryesuesi Zogaj theksoi rëndësinë që i është kushtuar mbrojtjes së pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial gjatë këtij procesi.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Ardian Hajdaraj, vuri theksin në fuqizimin e sistemit të drejtësisë. “Duke pasur parasysh natyrën e punës se Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor, të arriturat dhe sfidat me të cilat ballafaqohemi janë te njëjta. Rrugëtimi jonë drejt ruajtjes së pavarësisë se institucioneve, transparencës, llogaridhënies, fuqizimit të dy sistemeve është i përbashkët”, nënvizoi z. Hajdaraj.
Rreth shtatëdhjetë pjesëmarrës në takim diskutuan për koordinimin e gjykatave dhe prokurorive, produktivitetin e seancave gjyqësore dhe efikasitetin në trajtimin e rasteve; zbatimin e Udhëzuesit të Gjykatës Supreme për Politikë Ndëshkimore, rritjen e cilësisë së hetimit dhe vendim-marrjes si dhe vlerësimin e praktikës në procedurën e masave të sigurimit të të pandehurit në procedurë; avancimin e sistemit për menaxhimin e lëndëve dhe vlerësimin e mundësisë së marrëveshjes në mes KGJK – së dhe KPK – së, që gjykatat dhe prokuroritë të komunikojnë përmes sistemeve elektronike si dhe për mbajtjen e takimeve të rregullta gjatë vitit 2025, në mes të Këshillave dhe në mes të gjykatave dhe prokurorive.
Pjesëmarrësit në takim ranë dakord që të themelohet Grupi Punues në përbërje të: Kryetarit të Gjykatës Supreme, u.d. Kryeprokurorit të Shtetit, Kryesuesit të KGjK-së dhe atij të KPK-së, zëvendës-kryesueseve të KGjK-së dhe KPK-së dhe prej një përfaqësuesi të gjyqësorit dhe një përfaqësuesi të Prokurorisë.
Ky Grup Punues do të caktojë nëngrupet punues dhe do të organizojë takimet e tilla gjithëpërfshirëse.
Takimin e zhvilluar mund ta ndiqni ne linkun: https://www.facebook.com/keshilligjyqesorikosoves/videos/1955243971644335