Prishtinë, 1 nëntor 2024 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi bashkë me gjyqtarin Afrim Shala, kanë pritur sot në takim studentë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, të cilët në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) vizituan Gjykatën Supreme.
Kryetari Rexhepi foli para studentëve për rolin dhe funksionin e Gjykatës Supreme me fokus në sqarimet rreth politikës ndëshkimore dhe unifikimit të praktikës gjyqësore.
Po ashtu, kreu i Supremes inkurajoi juristët e rinj që të përkushtohen në profesionin që kanë zgjedhur dhe krahas avancimit në karrierë të ruajnë vlerat njerëzore.
Studentët shtruan pyetje të ndryshme rreth funksionimit të sistemit gjyqësor, trajtimit të rasteve, ndjekjes së praktikës në gjykata dhe çështje tjera me interes.
Gjyqtari i degës penale, Afrim Shala i ka njoftuar studentët me praktikën gjyqësore të kësaj dege si dhe është përgjigjur në pyetjet e tyre lidhur me çështjet e ndryshme penale.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes Qendrës për Edukim Profesional zhvillon aktivitete në kuadër të Klinikës Ligjore për studentët e vitit të fundit të Fakultetit Juridik. Puna me grupin e ri të studentëve ka filluar më 14 tetor dhe si pjesë e aktiviteteve të planifikuara ishte vizita në Gjykatën Supreme të Kosovës.
Gjykata Supreme është e hapur për të pritur nxënës, studentë dhe palë tjera të interesuara për ta vizituar.