Selanik, 06-07 tetor 2024 – Është mbajtur Konferenca e përbashkët ndërmjet Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me mbështetjen e Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar – IRZ.
Në këtë Konferencë morën pjesë kryetarët e gjykatave respektive, Gresa Caka-Nimani, kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, kryetar i Gjykatës Supreme, Albert Zogaj, kryesues i KGjK-së, ekspertët gjermanë të angazhuar nga Fondacioni “IRZ”, Prof. Dr. Michael Eichberger, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, Dr. Matthias Hartwig, ish-bashkëpunëtor i lartë hulumtues në Institutin “Max Planck” për të Drejtën Publike dhe të Drejtën Ndërkombëtare Krahasuese në Gjermani dhe gjyqtarë e këshilltarë juridik nga të dy gjykatat vendore. Po ashtu, në lidhje online, pjesë e Konferencës ishte edhe Mohamed Montasser Abidi, kryesues i seksionit nga IRZ.

Temat që u trajtuan në këtë konferencë ishin: “E drejta e pronës”, “Gjykimi në mungesë” dhe “Qasja në drejtësi”, derisa panelistë ishin gjyqtarët; Nexhmi Rexhepi, Jeton Bytyqi e Remzije Istrefi-Peci nga Gjykata Kushtetuese dhe Rrustem Thaqi, Afrim Shala e Zenel Leku nga Gjykata Supreme.
Ekspertët gjermanë të angazhuar nga IRZ, në secilin panel të temave të trajtuara, sollën perspektivën dhe përvojën e gjyqësorit të rregullt dhe gjyqësisë kushtetuese gjermane.
Konferenca dy ditore e organizuar me mbështetjen e IRZ-së, është në vijimësi të organizimit të punëtorive të përbashkëta profesionale mes të dy gjykatave.









