Tiranë, 10 korrik 2024 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Fejzullah Rexhepi bashkë me gjyqtarin e Gjykatës Supreme, Rrustem Thaqi dhe u.d. drejtoreshën e Departamentit Ligjor në Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës, Feride Podvorica, janë pritur sot në takim nga kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë Sokol Sadushi dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Asim Vokshi.
Në fokus të këtij takimi ishte njohja me praktikat e mira të sistemit gjyqësor në Shqipëri që do t’i shërbenin Kosovës në reformën e nisur në drejtësinë civile, për të cilën, akterë të sistemit të drejtësisë në vend po bashkëpunojnë me Ministrinë e Drejtësisë.

Hartimi i draftit të Kodit të ri të Procedurës Civile në Kosovë dhe tema tjera nga kjo fushë u diskutuan mes pjesëmarrësve në takim.
Kryetarët e të dy gjykatave shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, posaçërisht për të shkëmbyer praktikat gjyqësore në fushat më interes të përbashkët.

