Gjykata Supreme e Kosovës – nikoqire e Konferencës së 14-të të Kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore

Gjykata Supreme e Kosovës – nikoqire e Konferencës së 14-të të Kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore

Prishtinë, 24 qershor 2024 – Ka filluar Konferenca e 14-të e Kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore, nikoqire e së cilës këtë vit është Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës.

Kjo Konferencë e përvitshme, e cila po zhvillon punimet sot dhe do t’i vazhdojë edhe nesër, po organizohet nga Gjykata Supreme në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës -KGjK, Institutin CEELI, USAID dhe INL, dhe përmes saj synohet promovimi i sundimit të ligjit, përmes diskutimeve dhe shkëmbimeve te përvojave gjyqësore ndërmjet kryetarëve të gjykatave pjesëmarrëse prej tetë vendeve; Shqipërisë, Sllovenisë, Republikës Çeke, Lituanisë, Bullgarisë, Malit të Zi, Rumanisë dhe Polonisë. 

Në fjalën hyrëse, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi e cilësoi si mundësi të shkëlqyeshme këtë Konferencë për të diskutuar, shkëmbyer ide, për të thelluar bashkëpunimin si dhe për të forcuar sistemet gjyqësore nëpërmes shkëmbimit të praktikave më të mira juridike në mes të gjyqësorit vendor e ndërkombëtar.Ai ka elaboruar të pesë temat e kësaj konference, të cilat do të moderohen nga përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse. “Pavarësia e Gjyqësorit, Rastet e Prapambetura dhe Vonesat, Qasja në Drejtësi, Mbështetja dhe Respekti i Publikut për Gjyqësorin dhe Risitë Teknologjike në Reformën Gjyqësore. Të gjitha këto çështje se bashku përbëjnë themelin mbi të cilin mbështeten e qëndrojnë sistemet tona gjyqësore, respektivisht janë shtyllat në të cilat qëndron liria, demokracia e barazia para ligjit, e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim”, potencoi mes tjerash kryetari Rexhepi.

Gresa Caka-Nimani, kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në fjalën e saj hyrëse, vuri theksin në nevojën e ruajtjes së pavarësisë së pushtetit gjyqësor edhe në demokracitë e reja ndërkaq Homer Moyer, themelues i Institutit CEELI, theksoi rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit duke pohuar se “gjyqësori në Kosovë meriton që të lavdërohet për punën e rëndësishëm që është bërë”.

Robert Strang, drejtor ekzekutiv i Institutit CEELI dhe John Walker, gjyqtar i lartë amerikan, i Qarkut, kanë shprehur mirënjohjen e tyre për organizimin e Konferencës nga Gjykata Supreme duke theksuar se në historinë e tërë botës, qytetarët kanë marrë hapa të rëndësishëm për të avancuar sundimin e ligjit.

Konferenca ka vazhduar punimet me sesionin e parë me temë pavarësia gjyqësore, të cilën e ka moderuar Marjeta Švab Širok, nënkryetare e Gjykatës Supreme të Sllovenisë.

Sesioni i dytë me temë lëndët e vjetra dhe vonesat është moderuar nga Asim Vokshi, gjyqtar i Gjykatës së lartë të Shqipërisë.

Sesioni i tretë i Konferencës, me temë qasja në drejtësi, do të moderohet nga Vesna Vučković, nënkryetare e Gjykatës Supreme të Malit të Zi, derisa sesionet e ditës së martë, me temat: Ndërtimi i mbështetjes dhe respektit për gjyqësorin dhe Inovacionet në reformat e gjyqësorit, do të moderohen nga Danguolė Bublienė, kryetare e Gjykatës Supreme të Lituanisë dhe Joanna Lemanska, kryetare e Dhomës së Shqyrtimit të Jashtëzakonshëm dhe Çështjeve Publike të Gjykatës Supreme të Polonisë.

Me rastin e kësaj Konference me rëndësi, Gjykata Supreme, një ditë më parë ka organizuar një ceremoni solemne në të cilën është shënuar edhe gjashtëdhjetëvjetori i themelimit të Gjykatës Supreme të Kosovës.




Fjalimi i plotë i kryetari të Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi

E nderuar Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka Nimani

Të nderuar Kryetarë dhe gjyqtarë të Gjykatave të respektuara Supreme të Lituanisë, Çekisë, Sllovenisë, Polonisë, Shqipërisë, Rumanisë, Malit të Zi, Bullgarisë,

Znj. Danguolė Bublienė, z. Petr Angyalossy, z. Aleš Pavel, znj. Vesna Vučković, znj.Marjeta Švab Širok, znj. Joanna Lemańska, z. Zbigniew Kapiński, z.Luminiţa-Catrinel RĂDULESCU, z.Ilie Dragomir, znj.Mirjana Bobicic, z.Asim Vokshi, znj.Mimi Furnadjieva dhe znj.Dessislava Popkoleva

Të nderuar z.Homer Moyer themelues i Institutit CEELI, z. David Campbell gjyqtar, z. John Walker gjyqtar, z.Robert Strang drejtor ekzekutiv i Institutit CEELI dhe z. Marcela Entilchova,

I nderuari Jeffrey Apperson nënkryetar i Qendrës Kombëtare për Gjykatat Shtetërore (NCSC)  për Marrëdhëniet Ndërkombëtare,

I nderuar Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z.Albert Zogaj

Të nderuar gjyqtarë dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave partnere,

Të nderuar mysafirë, zonja dhe zotërinj,

Me lejoni të ju uroj edhe sot mirëseardhje në Konferencën e 14-të, të Kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore. Është një nder i madh të hap këtë konferencë dhe të mikpres një grup kaq të shquar udhëheqësish gjyqësor dhe gjyqtarë me kaq shumë përvojë këtu në Prishtinë.

Kjo konferencë përfaqëson një mundësi të shkëlqyeshme për të gjithë ne që të përfshihemi në diskutime, të shkëmbejmë ide e të bashkëpunojmë për të forcuar sistemet tona gjyqësore, nëpërmes shkëmbimit të praktikave tona më të mira juridike. Kjo konferencë po organizohet për herë të parë në Kosovë, me ç’rast Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, ka nderin të jetë nikoqire e konferencës, e cila organizohet së bashku me Institutin CEELI dhe me mbështetjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, USAID dhe INL, të cilëve u jemi shumë mirënjohës dhe falenderues.

Kjo konferencë është një mundësi unike për diskutim, bashkëpunim dhe shkëmbim idesh mes niveleve më të larta të gjyqësorit vendor e ndërkombëtar, ku mund të reflektojmë mbi sukseset dhe dështimet e sistemeve tona të drejtësisë, të ndajmë praktikat më të mira dhe të përcaktojmë një rrugë drejt një të ardhmeje më t’mirë, ku vazhdimisht forcohet e mbrohet rendi e ligji, ku respektohet e drejta dhe dinjiteti i çdo individi, ku garantohet respektimi i të drejtës pronësore, i investimit dhe zhvillimit, e ku të gjithë njerëzit kanë shanse të barabarta, pa asnjë dallim.

Në këtë drejtim, misioni, përvoja dhe ekspertiza e Institutit CEELI, dhe gjyqtarëve Amerikanë na shërben që të mbajmë diskutime kyçe në avancimin e sundimit të ligjit për të gjetur modalitetet më efikase dhe efektive në mbrojtjen e të drejtave themelore dhe lirive individuale duke marrë parasysh veçoritë e sistemeve tona të drejtësisë.

Ju tashmë të gjithë e dini, që jemi këtu sot dhe nesër, të diskutojmë për pesë temat e kësaj konference, të cilat ishin temë diskutimi edhe në të kaluarën, janë edhe tani, por besoj do të jenë edhe në të ardhmen, pasi rëndësia e tyre për drejtësinë është gjithmonë aktuale, të cilat janë:

Pavarësia e Gjyqësorit, Rastet e Prapambetura dhe Vonesat, Qasja në Drejtësi, Mbështetja dhe Respekti i Publikut për Gjyqësorin dhe Risitë Teknologjike në Reformën Gjyqësore. Të gjitha këto çështje se bashku përbëjnë themelin mbi të cilin mbështeten e qëndrojnë sistemet tona gjyqësore, respektivisht janë shtyllat në të cilat qëndron liria, demokracia e barazia para ligjit, e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim, prandaj dua që shumë shkurtë të ndalem tek këto pesë tema:

  1. Pavarësia e gjyqësorit është padyshim gurë-themeli i një demokracie funksionale, është baza dhe çatia e gjithë shtetit të së drejtës, pa të cilin parim gjyqësori s’do të kishte asnjë kuptim. Ky parim garanton që gjyqësori të mbetet i lirë nga çfarëdo ndikimi, mirëpo, garancitë që Kushtetuta dhe legjislacioni ia jep gjyqësorit nuk duhet marr si të mirëqena, por ne duhet punojmë pareshtur për ta forcuar, e të qëndrojmë vigjilentë për të mbrojtur këtë pavarësi nga kushdo qoftë.

Është evidente që pushtet tjera jo gjithherë pajtohen me gjyqësorin e pavarur, dhe jo në pak raste kemi tentativa për të ndërhyrë, qoftë me nisma për ndryshime kushtetuese e ligjore, me ulje të pagave për gjyqtarët, qoftë me deklarime publike të qeveritarëve, e të tjerëve, për çështjet në shqyrtim në gjykata, që përfaqëson cenim të rëndë të pavarësisë së gjyqësorit, dhe paraqet presion të pa pranueshëm në raport me punën e gjyqtarëve.

Pa këtë pavarësi, vetë themelet e shoqërive tona demokratike janë pa qëndrueshme dhe rrezikojnë të ardhmen e vetë shoqërisë. Prandaj, është përgjegjësi e jonë, ta mbrojmë e ta mbajmë sa më të fortë ketë pavarësi. Unë me kënaqësi do të dëgjoj nga Znj. Marjeta Švab Širok, se si janë qasur problemeve në vendin e tyre, por besoj se për këtë do t’i kemi pikëpamjet edhe nga të tjerët.

  • Rastet e pazgjidhura dhe vonesat në administrimin e drejtësisë paraqesin sfidë për sistemin tonë të drejtësisë. Jo vetëm që gërryejnë besimin e publikut, por privojnë qytetarët nga marrja e drejtësisë, ose qojnë në marrjen e drejtësisë së vonuar, e cila drejtësi e humb kuptimin e rëndësinë. Andaj, ne duhet të miratojmë masa pro aktive për të adresuar këtë ngecje, duke përfshirë shpërndarjen e burimeve adekuate njerëzorë e teknike, thjeshtimin apo ndryshimin e procedurave ligjore, promovimin e mekanizmave alternativë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, e pse jo përdorimin e teknologjisë inovative. Reduktimi i numrit të lëndëve të pazgjidhura dhe zvogëlimi i vonesave brenda sistemit tonë të drejtësisë, është çështje urgjente që kërkon vëmendjen tonë, prandaj ne përmes Këshillit Gjyqësor të Kosovës kemi miratuar planet strategjike për zvogëlimin  e numrit të lëndëve, të cilat këto dy vitet e fundit kanë filluar të japin rezultat, megjithatë unë mesi po pres të dëgjoj zoti Asim Vokshi në mënyrë të detajuar për trajtimin e këtij problemi, por edhe nga praktikat e juaja për mënyrën e trajtimit të këtij problemi në shtete e juaja.
  • Qasja në drejtësi është një e drejtë themelore e njeriut, por fatkeqësisht mbetet e paarritshme për plotë njerëz në shoqëritë tona. Qoftë për shkak të kufizimeve financiare, barrierave gjeografike apo mungesës së njohurive ligjore, prandaj ne duhet të përpiqemi e të sigurohemi, që të gjithë individët të kenë qasje të barabartë në gjykata dhe mjete juridike në dispozicion. Nga ne si drejtues të sistemit gjyqësor, kjo çështje kërkon zgjidhje inovative, që lehtësojnë apo heqin barrierat e panevojshme procedurale dhe nxisin gjithë përfshirjen, apo qasjen e barabartë për të gjithë qytetarët. Kjo mund të përfshijë ofrimin e ndihmës juridike falas për njerëzit që s’kanë mundësi materiale dhe promovimin e ndërgjegjësimit ligjor tek qytetarët. Te ne është bërë progres i jashtzakonshëm në ofrimin e ndihëmës juridike falas, pasi Agjencia e ndihmës juridike falas ka zyrat e tij në shtatë qendrat ku janë edhe selit e Gjykatave Themelore, si dhe vepron me zyra mobile nëpër qytet tjera, duke ju mundësuar qytearve me pamundësi financiare të kenë asistencë ligjore. Po ashtu me ndryshimet e Kodit të procedurës penale mbrojtja e detyrueshme është për të gjitha veprat e dënueshme deri në pesë vite, kshtuqë të gjithë ata të cilët nuk sigurojnë mbrojtsit e tyre, gjykata është e detyruar të siguroj avokat mbrojtës sipas detyrës zyrtarre. Me kënaqësi do të dëgjoj Znj. Vesna Vučković, për përvojat e saj në trajtimin e kësaj çështje.
  • Forcimi i mbështetjes dhe respektit të publikut për gjyqësorin është çështje po ashtu tepër e rëndësishme, e thelbësore për vetë kauzën dhe efektivitetin e gjyqësorit. Ne duhet të ndërmarrim përpjekje avokuese, për të edukuar e ndërgjegjësuar publikun për rolin e gjyqësorit dhe rëndësinë e tij në ruajtjen e shtetit të së drejtës. Duke përmirësuar transparencën, llogaridhënien dhe integritetin brenda gjykatave tona, ne mund të ushqejmë besim dhe respekt më të madh për gjyqësorin. Për më tepër, dialogu me palët e interesuara, duke përfshirë median, shoqërinë civile dhe institucionet ligj zbatuese, është thelbësor për të promovuar një kuptim më të mirë tek publiku mbi rolin dhe rendësin e funksionimit të gjyqësorit. Prandaj, këtë besim ne duhet ta ushqejmë e zhvillojmë rregullisht. Ne në tri vitet e fundit kemi bërë hapa të mëdhenj me qëllim të rritjes së transparencës brenda gjyqësorit, kemi filluar transmetimin e mbledhjeve online të Këshillit Gjyqësor, si dhe të mbledhjeve të Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, publikimin e vendimeve në web faqen e gjykatave, shpalljen në tabelën e seancave për mbajtjen e seancave, po ashtu ka informim të vazhdueshëm për çdo gjë që ndodh brenda sistemit gjyqësor. Por forcimi i mbështetjes dhe respektit të publikut janë sfidë që gjithmonë i përcjell institucionet, e edhe gjyqësorin, andaj unë me pa durim pres fjalën e Znj. Danguolė Bublienė, por edhe mendimet e juaja për këtë çështje.
  • Risitë /inovacionet teknologjike në reformat gjyqësore, janë një sfidë, por unë besoj sfidë dobiprurëse në zhvillim e shërbimeve gjyqësore, prandaj ne duhet të diskutojmë gjatë kësaj konference, se si ti përzgjedhim e përqafojmë idetë e reja dhe modernizimin e sistemeve tona gjyqësore, që shkojnë në interes të administrimit më të mirë të drejtësisë. Kjo përfshin adoptimin e teknologjisë inovatore, modernizimin e proceseve gjyqësore apo krijimin e gjykatave të specializuara. Ne patjetër duhet të vazhdojmë përshtatjen me idetë e reja dhe të shohim mundësit për qasjen e duhur të gjyqësorit ndaj reformave inovatore. Duke përqafuar inovacionin, besoj ne mund të kapërcejmë më lehtë sfidat aktuale në gjyqësor, e të përmbushim më mirë nevojat për ndryshime pozitive e të drejta, të cilat priten nga shoqëritë tona. Ne jemi duke punuar për të shfrytëzuar sa më shumë mundësitë teknologjike për të lehtësuar punën e gjyqtarëve, por të njëjtën kohe edhe shërbim më të çashëm për qytetarët. Ne kemi filluar me digjitalizimin e sallave të gjykimeve, të cilat në të ardhmen do të na mundësojnë edhe mbajtjen e seancave online, ne po ashtu jemi të fokusuar në dhënien e shërbimeve online, dhe tash qytetarët mund të kenë qasje në çertifikatat e padënueshmërisë dhe të njëjtat mund t’i sigurojnë online.  Për mua është kënaqësi ta dëgjoj zonjën Joanna Lemanska, por edhe të gjithë ju, se si duhet t’i qasemi shfrytëzimit të teknologjisë për punë më produktive të gjyqësorit, që nënkupton shërbime më të mira për qytetarët.

Të nderuar, në përfundim të këtij fjalimi, ju lutem t’iu qasemi diskutimeve tona në një frymë bashkëpunimi, e me një qëllim të përbashkët që shkon në të mirë të drejtësisë dhe interesit të njerëzimit në përgjithësi. Së bashku ne mund t’ia dalim, ti adresojmë sfidat me të cilat përballen sistemet tona gjyqësore, të ruajmë integritetin e sistemeve tona gjyqësore dhe të çojmë përpara kauzën e drejtësisë, barazisë, zhvillimit e demokracisë, në gjitha vendet tona.

Unë ju falënderoj paraprakisht për pjesëmarrjen dhe kontributin tuaj në këtë konferencë, pres e uroj që do të kemi diskutime të frytshme, të arrijmë në konkluzione përfundimtare dhe natyrisht, ti kalojmë sa më mirë këto ditë!

Ju faleminderit!