Pejë, 28-29 mars 2024 – Anëtarët e Komisionit Këshillëdhënës për Politikë Ndëshkimore janë mbledhur në një takim dyditor me qëllim të finalizimit të revidimi të Udhëzuesit të Përgjithshëm të Gjykatës Supreme, për Politikë Ndëshkimore.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi ka folur për rëndësinë e finalizimit të procesit të revidimit të këtij Udhëzuesi, në mënyrë që prioritetet e gjyqësorit për unifikimin e politikës ndëshkimore të mund të realizohen.
Anëtarët e Komisionit, gjyqtarët e degës penale të Gjykatës Supreme, pjesëmarrës në takim dhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane, për dy ditë radhazi, do t’i diskutojnë dhe finalizojnë temat e Udhëzuesit që përfshijnë; veprat penale të terrorizmit, veprat penale kundër jetës dhe trupit, veprat penale kundër martesës dhe familjes, veprat penale të narkotikëve, veprat penale kundër mjedisit, kafshëve, bimëve dhe objekteve kulturore, veprat penale kundër sigurisë së trafikut publik, veprat penale të armëve dhe veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike.
Në tërë procesin e përpilimit dhe tani revidimit të Udhëzuesit të Përgjithshëm për Politikë Ndëshkimore, Gjykatën Supreme e ka mbështetur Zyra OPDAT nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.