Prishtinë, 23 shkurt 2024 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi bashkë me gjyqtarët Shukri Sylejmani dhe Ragip Namani kanë pritur sot në takim përfaqësues të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, kryetarin Arben Mehmeti dhe anëtarët e Këshillit, Jeton Koca dhe Malsore Gashi.
Përfaqësuesit e KPMSHCK-së diskutuan me kryetarin Rexhepi lidhur me sfidat me të cilat përballet ky institucion si dhe shqyrtuan mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Kryetari Rexhepi, në kuadër të kompetencave të Gjykatës Supreme, shprehu gatishmërinë për mbështetje profesionale ndaj KPMSHCK-së, në mënyrë që të rritet efikasiteti i tyre në zbatim të legjislacionit lidhur me të drejtat dhe detyrimet e zyrtarëve publikë/nëpunësve civil, si dhe në mënyrë që të shmangen kontestet në gjykata, kur një gjë e tillë është e mundur.
Bashkëbiseduesit vlerësuan rolin e KPMSHCK-së, në respektimin e rregullave dhe parimeve në shërbimin civil.