Prishtinë, 14 dhjetor 2023 – Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, me përkrahjen e Fondacionit gjerman për bashkëpunim ligjor ndërkombëtar “IRZ”, po mbajnë sot konferencën e përbashkët me Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë, me temën: “Ekuilibri ndërmjet Kontrollit të Ligjshmërisë dhe të Kushtetutshmërisë, Kufijtë e Juridiksionit dhe qasja në Drejtësi”.
Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi në fjalën e tij hyrëse, theksoi nevojën që gjatë kësaj konference “të diskutohet për sfidat dhe zgjidhjet në përpjekjen për të siguruar një ekuilibër të qëndrueshëm dhe efektiv mes kontrolleve të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë, si një nga garancat për funksionimin e shtetit të së drejtës”. Ai e vlerësoi këtë konferencë si një mundësi për thellimin e bashkëpunimit mes institucioneve, për të siguruar konsistencën dhe harmoninë në interpretimin dhe zbatimin e Kushtetutave tona dhe të instrumenteve ndërkombëtare.
Kjo është konferenca e dytë e përbashkët e kësaj natyre, që po organizohet ndërmjet gjykatave simotra të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, e cila ka mbledhur rreth vetes gjyqtarë nga Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë.
Në mesin e panelistëve kryesorë në konferencë do të jetë edhe ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, Gabriele Britz.