Prishtinë, 1 dhjetor 2023 – Në ditën e e III-të, të ‘Ditëve të Gjyqësorit’, të organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, janë promovuar dy përmbledhje të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Botimi ‘Vendime të përzgjedhura të Gjykatës Supreme të Kosovës’, ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së vendimeve gjyqësore dhe lehtësimin e punës së gjyqtarëve në zgjidhjen e drejtë të rasteve gjyqësore.
Botimi ‘Përmbledhje nga Praktika e Gjykatës Supreme në çështje penale dhe civile’, ofron zgjidhje për çështjet dhe dilemat e ndryshme me të cilat ballafaqohen gjyqtarët e instancave më të ulta, si dhe udhëzon gjyqtarët se si të veprohet në situatat e ngjashme duke respektuar dhe aplikuar në mënyrë të drejtë dispozitat ligjore dhe duke marr për bazë edhe praktikat dhe standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Paneli i gjyqtarëve i kryesuar nga kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, i përbërë nga gjyqtarët e Gjykatës Supreme: Mejreme Memaj, Afrim Shala dhe Agim Maliqi, kanë diskutuar rreth rëndësisë së përdorimit të këtyre dy përmbledhjeve të Gjykatës Supreme, të cilat do t’iu shërbejnë gjyqtarëve në punën e tyre. Paneli ka diskutuar edhe rreth të gjeturave në praktikën gjyqësore nga Gjykata Supreme e Kosovës në çështjet penale.
Me këtë rast, Kryetari Rexhepi, falënderoi të gjithë gjyqtarët dhe kontribuesit për përkushtimin dhe angazhimin e tyre, drejt realizimit të këtyre botimeve, në veçanti ata nga Akademia e Drejtësisë dhe projektin WBROLI Chemonics.
Përmbledhjet mund t’i gjeni edhe online tek moduli-Udhëzues:https://supreme.gjyqesori-rks.org/korniza-ligjore/udhezimet-administrative/udhezimet/