Prishtinë, 01 nëntor 2023 – Kryetari i Gjykatës Supreme Fejzullah Rexhepi, gjyqtari dhe njëherësh kryesuesi i Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024, Afrim Shala dhe eksperti i angazhuar nga USAID, John Ferry, janë takuar sot me gjyqtarët e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për të diskutuar mundësitë e intensifikimit të punës në zgjidhjen e lëndëve të vjetra.
Kryetari Rexhepi kërkoi nga gjyqtarët e DhPGjS angazhim të shtuar në mënyrë që lëndët e vjetra të trajtohen dhe zgjidhen me prioritet si dhe të mobilizohet stafi i angazhuar shtesë në Dhomë në mbështetje të gjyqtarëve.
Gjyqtari Shala sqaroi se Komisioni për monitorimin e planeve strategjike të KGjK-së ka në fokus monitorimin e rasteve më të vjetra se 24 muaj, të rasteve që kthehen në rigjykim dhe të atyre me prioritet. Monitorimi do të përfshijë secilin rast të tillë dhe punën e secilit gjyqtar.
Në takim u theksua edhe domosdoshmëria që rastet e kthyera në rigjykim të mos trajtohen si lëndë të reja.
Në këtë takim të pranishmit u zotuan për të përmbushur një prej objektivave kryesore të Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi, – përfundimin e lëndëve të vjetra.