Prishtinë, 23 tetor 2023 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi ka pritur sot në takim përfaqësues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), misioni në Kosovë, Kahramon Sanginov dhe Rachel Simon Rushby, të cilët kanë shpalosur para kryetarit të gjeturat nga raporti i OSBE-së, i titulluar “Monitorimi i gjykimeve të rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë: Gjetjet dhe rekomandimet”.
Të pranishmit diskutuan lidhur me këto të gjetura dhe hapat që mund të ndërmarrë Gjykata Supreme në drejtim të rritjes së llogaridhënies së gjyqtarëve dhe efikasitetit të gjykatave në trajtimin e këtyre rasteve.
Kryetari Rexhepi vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të OSBE-së për sistemin gjyqësor duke potencuar se raportet e monitorimit të kësaj organizate kredibile e kanë ndihmuar KGjK-në dhe Gjykatën Supreme që të identifikojë ngecjet dhe të punojë në evitimin e tyre.
Bashkëbiseduesit u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit me fokus në rolin e instancës më të lartë gjyqësore, sa i përket ndikimit të saj përmes nxjerrjes së udhëzuesve dhe politikës ndëshkimore.