Prishtinë, 14 shtator 2023 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi ka pritur sot në takim këshilltarin ligjor rezident në Ambasadën Amerikane, John C. Hanley, këshilltarët e lartë ligjorë, Benina Kusari dhe Etrur Maloku si dhe specialisten ligjore, Fitore Bajraktari.
Në fokus të këtij takimi ishte finalizimi i revidimit të Udhëzuesit për Politikë Ndëshkimore, plotësimi i Komisionit Këshillëdhënës për Politikë Ndëshkimore me anëtarë të rinj dhe çështje tjera lidhur me zbatimin e udhëzuesit.
Kryetari Rexhepi shprehu gatishmërinë e plotë për të kontribuar në zbatimin e Udhëzuesit për Politikë Ndëshkimore dhe në thellimin e bashkëpunimit me OPDAT (Programi i Departamentit të Drejtësisë për Ndihmë, Trajnim dhe Zhvillim Prokurorial Jashtë Vendit), duke çmuar lartë mbështetjen që Ambasada Amerikane ka dhënë në vazhdimësi për sistemin gjyqësor, me theks të veçantë për Gjykatën Supreme të Kosovës.
Në anën tjetër, këshilltari ligjor rezident në Ambasadën Amerikane, Hanley, duke uruar kryetarin Rexhepi për detyrën e re, shpalosi perspektivën amerikane sa i përket politikës ndëshkimore dhe ripohoi se janë të gatshëm për të ndihmuar tutje gjyqësorin e Kosovës.
Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e zbatimit të Udhëzuesit për Politikë Ndëshkimore si një mjet lehtësues për gjyqtarët, të vendosur drejt dhe konform dispozitave ligjore.