Mitrovicë, 13 Shtator 2023 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, me bashkëpunëtorë kanë vizituar Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ku janë pritur nga Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Ismet Ujkani, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Bekim Veliqi.
Bartësit e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial patën diskutime të drejtpërdrejta dhe konstruktive lidhur me gjendjen momentale në këtë prokurori si dhe adresimin e sfidave, vështirësive, pengesave dhe çështjeve me të cilat ballafaqohen këto dy institucione në administrimin e punës pas ofrimit të dorëheqjes së prokurorëve nga radhët e komunitetit serb.
Në këtë takim, u diskutua për nevojën e shtimit të numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Prokurorinë dhe Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në mënyrë që seancat gjyqësore të mos dështojnë dhe të mos lejohet parashkrimi i rasteve.
Krerët e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial u zotuan se në kuadër të mundësive ligjore do të mbështesin Prokurorinë dhe Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në mënyrë që puna në këto dy institucione të funksionojnë në mënyrë sa më efikase dhe efektive, me ç’rast inkurajuan kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe zëvendëskryetarin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë që të bëjnë përpjekje dhe të gjejnë mënyrë dhe praktika në koordinim sa ma të mirë të punëve.