Prishtinë, 12 korrik 2023 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi ka pritur sot në takim drejtuesin e ekipit të projektit rajonal Iniciativa për Sundimin e Ligjit në Ballkanin Perëndimor (WBROLI) Christopher Marshall dhe menaxherin e këtij projekti, Blend Zyrapi, të cilët e njoftuan kryetarin lidhur me aktivitetet e këtij projekti dhe mundësitë e bashkëpunimit me Gjykatën Supreme.
Kryetari Rexhepi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë WBROLI, në fuqizimin e sistemit gjyqësor në përgjithësi dhe të Gjykatës Supreme në veçanti dhe pohoi gatishmërinë për të zhvilluar aktivitetet e këtij projekti, që në fokus ka mbështetjen e institucioneve në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Bashkëbiseduesit ranë dakord që të përkushtohen edhe në bashkëpunimin rajonal mes institucioneve të drejtësisë, si një prej aktiviteteve të këtij projekti.