Prishtinë, 26 qershor 2023 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi dhe gjyqtari Afrim Shala kanë pritur sot në vizitë rreth tridhjetë (30) nxënës të shkollës së mesme, drejtimi administratë dhe shërbime të zyrës (juridik) “Isa Boletini”, nga Podujeva, të shoqëruar nga profesorët e tyre, Bujar Miftari dhe Behram Abdullahu.
Me këtë rast, kryetari Rexhepi i përshëndeti nxënësit e pranishëm duke iu uruar mirëseardhje në gjykatë, derisa, gjyqtari Shala, e vazhdoi takimin duke i njoftuar me funksionimin e sistemit gjyqësor në vend dhe me kompetencat e Gjykatës Supreme.
Nxënësit shtruan pyetje të shumta lidhur me procedurat që zhvillohen në gjykime, përpilimin e aktgjykimeve, çështjet me të mitur, shqiptimet e dënimeve me burgim të përjetshëm, të drejtat e të akuzuarve, kthimin e çështjeve në rigjykim dhe pyetje të tjera, për të cilat morën përgjigje nga gjyqtari i degës penale, Afrim Shala.
Gjykata Supreme është e hapur dhe inkurajon grupet e interesit, të nxënësve, studentëve dhe të interesuarve tjerë për ta vizituar dhe për t’u njohur për së afërmi me funksionimin e instancës më të lartë gjyqësore.