Tiranë, 10 maj 2023 – Me ftesë të zëvendës kryetarit të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Sokol Sadushi, u.d. kryetarja e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Mejreme Memaj, po merr pjesë në Konferencën ndërkombëtare me temë “Praktika gjyqësore e Gjykatës së Lartë, nga identiteti kombëtar tek vlerat universale”, të organizuar në shënim të 110-vjetorit të themelimit të Gjykatës së Lartë në Shqipëri.
Në sesionin e tretë të konferencës, me temë “Rruga drejt integrimit në Bashkimin Evropian – Roli i Gjykatës së Lartë në këndvështrim të perspektivës historike dhe sfidave aktuale“, u.d. kryetarja Memaj, është paraqitur me fjalimin me temë “Roli i Gjykatës Supreme të Kosovës për reformën në drejtësi, në dritën e përpjekjeve institucionale drejt integrimit në Bashkimin Evropian“.
Me këtë rast, u.d. kryetarja Memaj vuri në pah hapat e fundit të avancimit të Kosovës drejt BE-së, sic ishte miratimi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe mbështetja e Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare, për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke përmbyllur kështu fazën e parë të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.
“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, dhe në veçanti në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), është një hap i rëndësishëm për Kosovën në konsolidimin e shtetit të ligjit dhe në promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut“, theksoi u.d. kryetarja. Ajo vuri në pah për të pranishmit, se së fundmi, është nënshkruar deklarata e përbashkët e zotimit për reformën ligjore në sistemin e drejtësisë në mes të Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të Shtetit, me qëllim të intensifikimit të kësaj reforme, avancimit dhe fuqizimit të mëtejmë të sundimit të ligjit. Kjo deklaratë vjen si nevojë imediate nga procesi i Rishikimit Funksional të Sundimit të Ligjit, Raportit të Komisionit të Bashkimit Evropian për vendin, Opinionit të Venecias dhe raporteve e vlerësimeve tjera vendore e ndërkombëtare.
”Bazuar në rekomandimet e dala nga këto raporte, Gjykata Supreme dhe institucionet nënshkruese të kësaj deklarate, do të përkushtohen në zhvillimin e reformës me theks në mekanizmat e verifikimit, vlerësimit të performancës, disiplinimit, transparencës, integritetit, profesionalizimit, efikasitetit dhe llogaridhënies së gjyqtarëve, prokurorëve dhe departamenteve respektive brenda KGjK-së dhe KPK-së”, theksoi u.d. kryetarja.
Konferenca ndërkombëtare e organizuar në Tiranë, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Europës, mblodhi rreth vetes gjyqtarë të njohur nga gjykatat e larta të Gjermanisë, Italisë, Francës, Azerbajxhanit, Turqisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës si dhe gjyqtarë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nga Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.