Prishtinë, 27 shkurt 2023 – Nën drejtimin e u.d. Kryetares së Gjykatës Supreme, Mejreme Memaj, është mbajtur Seanca e Përgjithshme e të gjithë gjyqtarëve të gjykatës, në të cilën janë miratuar dy (2) mendime juridike dhe tre (3) udhëzues.
Janë miratuar:
-Mendimi Juridik lidhur me ligjin e aplikueshëm, statusin e zyrtarëve publikë: drejtorëve, zëvendësdrejtorëve dhe sekretarëve të shkollave fillore dhe të mesme, si dhe kompetencën lëndore të gjykatave;
-Mendimi juridik për shpërblimin jubilar, lidhur me ligjin e aplikueshëm, marrëveshja e përgjithshme kolektive dhe kontratat sektoriale, si dhe kushtet për të fituar të drejtën e shpërblimit jubilar;
-Udhëzuesi Juridik lidhur me ligjin e aplikueshëm: Ligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimit nr.04/L-034, lidhur me çështjen se a duhet pezulluar procedura përmbarimore kundër ndërmarrjes dhe aseteve të saj që është subjekt i vendimit për likuidim, lidhur me kërkesat monetare, apo duhet vazhduar procedura gjyqësore përmbarimore lidhur me kërkesat e tilla monetare pavarësisht që ndërmarrja kundër të cilës zhvillohet kjo procedurë gjyqësore përmbarimore ndodhet në procedurë të likuidimit.
-Udhëzuesi lidhur me konfliktet administrative të iniciuara nga Shoqëritë Tregtare kundër vendimeve përfundimtare të nxjerra në procedurë administrative, për të cilat Gjykata Komerciale është kompetente për të gjykuar; dhe
-Udhëzuesi për caktimin e kritereve orientuese dhe lartësinë e shpërblimit të drejtë në të holla të dëmit jo-material.
Mendimet juridike dhe Udhëzuesit i gjeni të publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Supreme.