Prishtinë, 13 shkurt 2023 – Kryetari dhe anëtarët e Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024, kanë pritur sot në takim, ekspertët britanik David Wells dhe Quentin Oliver, të angazhuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të cilët kanë përpiluar një plan veprimi për këtë Komision.
Kryetari i këtij Komisioni, gjyqtari Afrim Shala ka theksuar gatishmërinë që të japin maksimumin për të kontribuar në zbatimin e kësaj strategjie, bashkë me ndihmën e KGjK-së dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj strategjie për gjyqësorin.
Anëtarët e Komisionit potencuan nevojën, që përveç monitorimit dhe vlerësimit të japin edhe rekomandime lidhur me implementimin e strategjisë.
Plani Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024, është miratuar para vitit 2022, ndërkohë që monitorimi i zbatimit të tij ka filluar në tetor të vitit 2022, pasi KGjK, themeloi Komisionin e përbërë nga Afrim Shala, kryetar dhe Mejreme Mema, Milena Djeric; Rrustem Thaqi dhe Ragip Namani, anëtarë.