Prishtinë, 03 shkurt 2023 – Krahasuar me vitin 2021, shkalla e efikasitetit të punës së Gjykatës Supreme është rritur për 15.21 për qind, pasi, në vitin 2021, efikasiteti në kryerjen e lëndëve, ishte prej 99.11 për qind, ndërkohë që këtë vit ky efikasitet është 114.32 për qind.
Gjykata Supreme e ka përmbyllur vitin 2022 me 1.636 lëndë të kryera, derisa janë trashëguar për vitin 2023, vetëm 201 sosh.
Gjatë vitit 2022 në punë kanë qenë gjithsej 1.837 lëndë. Rrjedh se numrin më të madh të lëndëve të kryera gjatë kësaj periudhe raportuese e përbëjnë Revizionet (R) me 679 lëndë të kryera, duke u renditur pas tyre Kërkesat për Mbrojtje të Ligjshmërisë (PML), me 520 lëndë të kryera dhe Kërkesat për Rishqyrtim të Jashtëzakonshëm Administrativ (ARJ) me 126 lëndë të kryera, ankesat administrative (AA)me 34 lëndë, etj..
E kalkuluar në përqindje, shkalla e efikasitetit në zgjidhje të lëndëve, del të jetë 114.32 për qind, duke llogaritur numrin e lëndëve të pranuara dhe atyre të zgjidhura, gjatë periudhës raportuese.
Krahasuar me vitin 2021, shkalla e efikasitetit të punës së Gjykatës Supreme është rritur për 15.21 për qind, pasi, në vitin 2021, efikasiteti në kryerjen e lëndëve, ishte prej 99.11 për qind, ndërkohë që këtë vit ky efikasitet është 114.32 për qind.
Raporti vjetor i punës së Gjykatës Supreme për vitin 2022 është miratuar në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, mbajtur të enjten me 2 shkurt 2023.
I njëjti do të publikohet së shpejti tek moduli Publikimet – Raporti i punës.