Prishtinë, 17 nëntor 2022 – Nën drejtimin e gjyqtarit të Gjykatës Supreme, Afrim Shala, është mbajtur takimi i parë i Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024.
Kryetari i këtij Komisioni, gjyqtari Shala ka theksuar nevojën që si Komision fillimisht të trajtojnë Planin Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024, pasi ky plan është miratuar para një viti dhe ende nuk është monitoruar zbatimi i tij.
Kryetari i Komisionit për Administrimin e Gjykatave, gjyqtari Fahret Velija, shprehu gatishmërinë e Komisionit që kryeson, që të ofrojnë mbështetjen e tyre teknike e profesionale, në përmbushje të qëllimeve të përbashkëta.
Anëtarët e Komisionit kanë diskutuar për aspektet teknike se si do të monitorojnë planet në fjalë, duke theksuar nevojën e hartimit të planit të punës, por edhe të pajisjes me informacione nga gjykatat dhe KGjK, në mënyrë që të trajtohen me urgjencë disa pika të këtyre planeve, të cilat kërkojnë vlerësim dhe raportim, siç është trajtimi i lëndëve të korrupsionit.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës në takimin e datës 20 tetor 2022 ka themeluar Komisionin për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024, në përbërje të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme; Afrim Shala, kryetar dhe Mejreme Mema, Milena Djeric; Rrustem Thaqi dhe Ragip Namani, anëtarë.
Kjo përbërje e Komisionit me gjyqtarë të Gjykatës Supreme konsiston në unifikimin e praktikës gjyqësore dhe në zbatimin e vërejtjeve dhe udhëzuesve të gjykatës së shkallës më të lartë, të cilat ndërlidhen me zbatimin e planeve strategjike.