Prishtinë, 24 tetor 2022 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, në shënim të “Javës për të drejtat e viktimave të krimit”, organizuar nga Prokurori i Shtetit, ka vënë në pah nevojën që në këtë ditë të rëndësishme të punohet edhe rreth ngritjes së vetëdijes për të drejtat e viktimave, gjendjen e tyre psiko-sociale, statusin e tyre në shoqëri, duke theksuar se nuk duhet të ketë tolerancë ndaj dhunuesve të të drejtave të njeriut.
“Për fat të keq, rastet e dhunës në familje, së fundmi edhe të sulmeve seksuale, janë rritur ndjeshëm, ndaj, organet kompetente, duhet të jenë vigjilente dhe të ndërmarrin çdo veprim që iu takon, duke mos neglizhuar asnjë hallkë të zinxhirit institucional”, pohoi kryetari Peci duke shtuar se si shtet, Kosova duhet të mobilizojë forcat dhe të ngrit kapacitetet që këto raste të parandalohen, pasi, sipas tij, nuk mjafton vetëm ndëshkimi i dhunuesve për të edukuar një shoqëri ende patriarkale, si kjo e jona. “Duhet të marrim edhe praktikat e fundit nga SHBA-të dhe vendet evropiane, të cilat mbajnë rekordin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe të mbrojtjes së viktimave”.
Kreu i Supremes përmendi edhe hapat e ndërmarrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, si për ngritjen e cilësisë së gjyqësorit, forcimin dhe rritjen e kapaciteteve ashtu edhe për plotësimin e rregulloreve dhe ngritjen e llogaridhënies e transparencës.