Pejë, 03 tetor 2022 – Nën drejtimin e kryetarit të Gjykatës Supreme Enver Peci, ka filluar punëtoria me gjyqtarët e Gjykatës Supreme, në të cilën po merr pjesë edhe kryesuesi I Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.
Kryetari Peci dhe kryesuesi Zogaj theksuan rëndësinë e koordinimit të aktiviteteve mes Gjykatës Supreme dhe Këshillit Gjyqësor gjatë diskutimeve lidhur me procesin e konsolidimit të sistemit qendror për evidencë penale.
Fjalë rasti para të pranishmëve ka mbajtur edhe përfaqësuesi i BE-së, Nicola Scaramuzzo, i cili shprehu mbështetjen e BE-së për forcimin e kapaciteteve të gjyqësorit.
Kryesuesi i grupit punues për Sistemin Qendror të Evidencës Penale (SQEP), gjyqtari i Gjykatës Supreme, Afrim Shala, elaboroi para të pranishmëve raportin me rekomandime sa i përket këtij procesi.
Për çështjet e ngritura ka folur edhe Yolanta Christova, e cila vuri në pah mbështetjen që në këtë proces po jep projekti NCCR.
Punëtoria ka në fokus të diskutimit shqyrtimin e procesit të rehabilitimit ligjor dhe fshirjen në bllok të dënimeve nga SQEP; Çështjen e dënimeve të cilat nuk krijojnë pasoja juridike dhe pasqyrimi ose jo i tyre në certifikatat dhe ekstraktet e reja; Çështjen e zëvendësimit të dënimit me burgim në dënim me gjobë dhe procesi i evidentimit të tyre në SQEPK; Çështjen e rasteve të regjistruara në sistem, kur veprat penale tanimë janë de-penalizuar; shqyrtimin e përmbajtjes së certifikatave dhe ekstrakteve të reja me bazë në SQEPK; rishikimin e përmbajtjes së certifikatave etj..
Po ashtu, do të shqyrtohen kërkesat e adresuara në Gjykatë Supreme, për mendime juridike.