Prishtinë, 21 shtator 2022 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, njëherësh kryesues i Komisionit Këshillëdhënës për Politikë Ndëshkimore, i shoqëruar nga u.d. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, anëtarët e Komisionit, kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Albina Shabani – Rama dhe gjyqtari Burim Ademi, si dhe përfaqësues të UNDP-së, po qëndrojnë për vizitë studimore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përfaqësuesit e Komisionit gjatë këtyre ditëve do të njihen nga afër me praktikat amerikane në fushën e drejtësisë, me theks në zbatimin e udhëzuesve për politikë ndëshkimore.
Takimet e para janë realizuar në Pensilvania, ku delegacioni është pritur nga Todd Stephens, kryesues i Komisionit për Politikë Ndëshkimore, i cili, mes tjerash, ka sqaruar përfitimet e gjyqësorit amerikanë nga zbatimi i obligueshëm i udhëzuesve për politikë ndëshkimore.
Në kuadër të agjendës, takime me interes janë zhvilluar edhe me drejtorin ekzekutiv të Komisionit, Mark Bergstrom, zëvendësdrejtorin, Matthew Kleiman, dhe me profesorin e universitetit Villanova, Steve Chanenson.
Delegacioni ka vizituar gjykatën e rrethit të Montgomery, ku janë takuar me gjyqtarë të kësaj gjykate dhe kanë ndjekur dy seanca gjyqësore, derisa në Universitetin Villanova, kryetari Peci ka mbajtur ligjëratë para studentëve amerikanë.
Vizita e delegacionit vendorë në ShBA, është mbështetur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), me seli në Prishtinë.