Prishtinë, 07 shtator 2022 – Kryetari i Gjykatës Supreme, njëherësh kryesues i Komisionit Këshilldhënës për Politikë Ndëshkimore, Enver Peci, ka mbajtur takimin e radhës lidhur me reformën në politikën ndëshkimore, me kryetarin dhe gjyqtarë nga Gjykata e Apelit, e ku të pranishëm ishin edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, kryetarët e gjykatave themelore, kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, si dhe anëtarë të Komisionit për Politikë Ndëshkimore dhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
Kryetari Peci, duke i njoftuar të pranishmit se Komisioni është në finalizim të revidimit të Udhëzuesit për Politikë Ndëshkimore, kërkoi prej gjyqtarëve të Apelit që ta zbatojnë këtë Udhëzues, gjë që e ka kërkuar edhe në takimet paraprake në të gjitha gjykatat, duke theksuar nevojën që, mbi të gjitha, të respektohen kushtet për caktimin e dënimit. Udhëzuesi, sipas tij, është një material orientues për matjen e dënimit.
Kreu i Supremes, i njoftoi gjyqtarët e pranishëm, se së fundmi Gjykata Supreme ka analizuar vendime të Gjykatës së Apelit dhe ka identifikuar zbutje të dënimeve, përkundër ekzistimit të rrethanave rënduese. Ndaj, kryetari kërkoi që të reflektohet në këtë drejtim, nga gjykata që si shkallë e dytë, e ka rolin rregullativ të praktikës gjyqësore.
Kryetari Peci, potencoi faktin se dënimi nuk mund të zbutet nën kufi, pa e përdor ndonjë rrethanë të jashtëzakonshme që e arsyeton këtë zbutje.
Në anën tjetër, kryesuesi Zogaj kërkoi angazhim më serioz nga të gjithë gjyqtarët, pasi sipas tij, përkundër punës që bëhet, përkundër krijimit të disa parakushteve, rezultati përballë qytetarit nuk është i dukshëm, madje, për fat të keq, ka degraduar në kuptimin e mosbesimit.
Kryesuesi theksoi se do të rritet edhe më tej transparenca, në përpjekje për të rritur llogaridhënien, dhe si rrjedhim, raportet e vlerësimit të performancës së gjyqtarëve do të publikohen me emër e mbiemër. Po ashtu, do të themeloi Komision të veçantë, i cili do të bëjë një ndryshim esencial në Rregulloren për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve. Duke qenë se pavarësia e gjyqtarit në radhë të parë nënkupton përgjegjësi, sipas kryesuesit, ky Komision do të hartojë raporte për KGjK-në dhe kryetarin e Gjykatës Supreme si dhe do t’i shtohet një kompetencë e veçantë kryetarit të Gjykatës Supreme, si autoritet, duke i dhënë të drejtë që ta referojë direkt në Komision të Performancës çdo gjetje në aktgjykime, që është në shpërputhje me dispozitat e Kodit Penal të Kosovës, sa i përket matjes së dënimit.
Gjatë takimit, u diskutua edhe për tematika dhe problematika specifike, të ngritura nga të pranishmit.