Prishtinë, 06 shtator 2022 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Albert Zogaj të shoqëruar nga kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj dhe kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Albina Shabani – Rama, kanë pritur sot në takim një delegacion nga Këshilli i Lartë Gjyqësor i Republikës së Shqipërisë, i udhëhequr nga kryetarja Naureda Llagami.
Kryesuesi Zogaj, para mysafirëve, vuri në pah nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes sistemit gjyqësor të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, duke precizuar se edhe projekti i Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL), që ishte fokusi kryesor i takimit, është një mundësi për të shkëmbyer përvojat më të mira.
Ai sqaroi para të pranishmëve rrjedhën e këtij projekti, i cili tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare, duke përmbushur kështu synimin për rritjen e efikasitetit dhe transparencës së gjyqësorit në Kosovë si dhe shprehu gatishmërinë që si KGjK të ofrojnë asistencë në implementimin e një projekti të ngjashëm në Shqipëri.
Ndërkaq, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci krahas shkëmbimit të praktikave më të mira mes sistemeve të drejtësisë në Kosovë dhe Shqipëri, konsideroi se të dy palët kanë kaluar nëpër reforma të thella dhe si rrjedhim mund të shmangin dështimet që cilido sistem ka pasur në të kaluarën.
Në anën tjetër, kryetarja Llagami përgëzoi gjyqësorin e Kosovës për digjitalizimin e shërbimeve, përmes implementimit të projektit SMIL, duke bërë me dije se një model të tillë synon ta ndjek edhe gjyqësori në Shqipëri. Ndërkaq u shpreh e gatshme që të ndihmojë KGjK-në në hartimin e hartës gjyqësore.
Në fund të takimit nikoqirët e shoqëruan delegacionin nga Shqipëria në vizitë të qendrës së pajisjeve të teknologjisë informative – SMIL, në hapësirat e Pallatit të Drejtësisë.
Projekti SMIL është projekt i mbështetur nga Ambasada norvegjeze në Prishtinë, përmes të cilit mundësohet modernizmi i shërbimeve në gjykata, nisur nga; regjistrimi i lëndëve të vjetra në sistemin SMIL; ndërlidhja elektronike gjykatë-prokurori dhe anasjelltas; Ndërlidhja ndërmjet sistemit SMIL me ARBK dhe ARC; Largimi i regjistrave manual nga përdorimi; Ndërlidhja ndërmjet sistemit SMIL dhe ueb-portalit të gjykatave; nxjerrja e raporteve të avancuara statistikore etj..