Prishtinë, 27 korrik 2022 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci ka pritur në takim disa studentë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, të cilët në bashkëpunim me Lëvizjen FOL, vizituan Gjykatën, në kuadër të projektit “Sektori i Drejtësisë në Kosovë – i përgjegjshëm, i besueshëm dhe transparent”, i cili është mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit (INL).
Kryetari Peci foli para studentëve për historikun e gjatë të gjykatës që drejton, për rolin dhe kompetencat aktuale të Gjykatës Supreme dhe sfidat me të cilat po përballet sistemi gjyqësor.
Po ashtu, kreu i Supremes inkurajoi vizitorët e rinj që të përkushtohen në profesionin që kanë zgjedhur, duke marrë si shembull procesin e fundit të rekrutimit të gjyqtarëve të rinj, si një proces i drejtë e transparent, i vlerësuar edhe nga organizatat joqeveritare që e monitoruan. Ai siguroi studentët se zgjedhja e gjyqtarëve dhe profesionistëve tjerë në gjyqësor do të vazhdoi në këtë nivel, duke pasur kriter meritokracinë.
Studentët shtruan pyetje të ndryshme rreth funksionimit të sistemit gjyqësor, mënyrës së vendosjes, trajtimit të rasteve me të mitur, rasteve të dhunës në familje, publikimin e aktgjykimeve, ndjekjen e praktikës në gjykata dhe çështje tjera me interes.