Prishtinë, 21 korrik 2022 – Zëvendës kryetarja e Gjykatës Supreme, Mejreme Memaj bashkë me anëtarët e KGjK-së, Arjeta Sadiku, Nikola Kabashiq, me kryetarin e Gjykatës së Apelit, Valon Totaj, kryetarin e Gjykatës Themelore të Pejës, Armend Berisha, zëvendës kryetarin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Dren Rogova dhe gjyqtarin Agim Maliqi, kanë pritur në vizitë Zëvendës Ndihmës Sekretaren e Shtetit të Byrosë për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit (INL), Ambasadoren Lisa A. Johnson dhe përfaqësues të tjerë nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, të cilët do të mbështesin sistemin gjyqësor në implementimin e Projektit për audio-video incizimin e seancave gjyqësore.
Zv/kryetarja Memaj, falënderoi përfaqësuesit e INL-së për ndihmën e vazhdueshme që po japin për forcimin e kapaciteteve të gjyqësorit në Kosovë, ngritjen e efikasitetit dhe transparencës si dhe projektet për përmirësimin e sistemit gjyqësor.
Ambasadorja Johnson shprehu interesimin për t’u njohur me zbatimin e Udhëzuesit të Gjykatës Supreme për Politikë Ndëshkimore, si projekt i cili është mbështetur nga Ambasada Amerikane, si dhe potencoi përkushtimin për të vazhduar mbështetjen e sistemit gjyqësor, duke përfshirë projektin për audio-video incizimin e seancave gjyqësore.
Gjyqtari i Gjykatës Supreme, Agim Maliqi, ka prezantuar në pika të shkurta reformat që ka ndërmarr gjyqësori në avancimin e politikës ndëshkimore në çështjet penale dhe zbatimin e Udhëzuesit.
Anëtari i KGjK-së, Nikolla Kabashiq, ka folur për integrimin e gjyqtarëve të komunitetit serbë dhe komuniteteve tjera jo-shumicë në sistemin gjyqësor të Kosovës, ndërkaq për rëndësinë e projektit të mbështetur nga INL-ja për audio-video incizimin e seancave gjyqësore, foli zëvendës kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Dren Rogova.
Delegacioni vizitoi Arkivën e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila është funksionalizuar falë ndihmës së INL-së dhe një sallë të gjykimeve ku u prezantua projekti i mbështetur nga INL-ja, për audio-video incizimin e seancave gjyqësore.