Prishtinë, 20 qershor 2022 – Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen penale kundër të dënuarve: A.H., E.H1., S.H2., A.M., A.B., H.Sh., B.S., N.H., R.H., S1.H1., S.S., secili veç e veç për shkak të veprës penale marrja e ryshfetit në vazhdimësi dhe të dënuarit A1.B1., J.T.. dhe Z.Sh., për shkak të veprës penale marrja e ryshfetit, ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të të dënuarve dhe kërkesat e të dënuarve A.H., E.H1., S.H2., A.M., A.B., H.Sh., B.S., N.H., R.H., S1.H1., S.S., A1.B1., J.T.. dhe Z.Sh., të ushtruara kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës.
Gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar se nga orari ditor i punës i Drejtorisë Rajonale të Policisë dhe Raporti i patrullës së Njësisë Rajonale të trafikut, të dënuarit në vazhdimësi, pasi që kanë ndaluar drejtuesit e veturave dhe pasi që kanë komunikuar me ta u kanë shpjeguar kundërvajtjen e kryer dhe dënimin i cili mund t’u shqiptohet dhe me këtë rast në mënyrë të qartë është specifikuar data dhe koha kur të dënuarit kanë marrë shuma të parave me qëllim që ndaj drejtuesve kundërvajtës të mos shqiptojnë tiketa, përkatësisht dënime për kundërvajtje.
Gjykata Supreme vlerëson se gjykata e shkallës së parë me rastin e shqiptimit të dënimit ka zbatuar drejt edhe dispozitat e ligjit penal dhe të dënuarve iu ka shqiptuar dënime brenda kornizës së përcaktuar të dënimit për këto vepra penale, bazuar në dispozitën e nenit 428 par.1 të KPRK-së.
Vendimi PML nr.127/2022 është i publikuar.