Prishtinë, 02 qershor 2022 – Gjyqtarët e Gjykatës Supreme, Agim Maliqi, Valdete Daka dhe Erdogan Haxhibeqiri po marrin pjesë në konferencën rajonale “Harmonizimi i praktikës gjyqësore: kohëzgjatja e procedurave – standardet dhe praktika gjyqësore”, e organizuar nga Këshilli i Evropës, e cila po mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Në cilësinë e panelistit, gjyqtari Agim Maliqi ka prezantuar në panelin e dytë të Konferencës, me titull “Pasqyra e praktikës gjyqësore dhe mjetet efektive juridike për kohëzgjatjen e tepërt të procedurave – qasjet e brendshme”.
Duke elaboruar praktikën gjyqësore në Kosovë, lidhur me temën, gjyqtari Maliqi ka sqaruar se Kosova nuk ka një ligj të veçantë (lex specialis) lidhur me gjykimin brenda një afati të arsyeshëm, por se këto janë të rregulluara përmes procedurave të veçanta dhe legjislacionit penal, civil dhe administrativ. “Gjithashtu e rëndësishme është të theksohet fakti se legjislacioni ynë nuk ka paraparë ndonjë garanci të procedurës për kompensimin e dëmit si rezultat i mos përfundimit të çështjes brenda afatit të arsyeshëm kohor”, ka theksuar ai.
Gjyqtari i degës penale, Maliqi, ka precizuar rolin e Gjykatës Supreme në përpjekje për të shmangur zvarritjet e zgjidhjes së lëndëve në sistemin gjyqësor të Kosovës. “Gjykata Supreme ka nxjerrë disa mendime juridike dhe udhëzime që ndërlidhen me gjykimin brenda një afati të arsyeshëm kohor, në mesin e të cilave është një Qarkore, përmes së cilës Gjykata Supreme ka kërkuar nga gjykatat e instancave më të ulëta gjyqësore të vendosin menjëherë në punë lëndët e kthyera në rigjykim dhe mos të trajtohen si lëndë të reja”, ka vënë në pah gjyqtari duke sqaruar se ka qenë një periudhë kohore kur lëndët e kthyera në rigjykim janë trajtuar si lëndë të reja, pasi që kanë marrë numrin e ri. “Gjithashtu, Gjykata Supreme, duke pasur parasysh situatën e krijuar përkitazi me kohën e zgjatjes së hetimeve, ka nxjerr mendim juridik përkitazi me fillimin e llogaritjes së afatit dy vjeçar për zhvillimin e hetimeve nga ana e prokurorive përkatëse. Kjo dispozitë ishte keqinterpretuar më parë nga ana e prokurorive me ç’rast është konstatuar se ka pasur shkelje të afatit të përcaktuar kohor për hetime dhe në kuptimin e nenit 6 të KEDNJ është konsideruar se është cenuar e drejta për gjykim brenda afatit të arsyeshëm kohor. Për më tepër paqartësia e kësaj dispozite ligjore të KPP-së është qartësuar me projekt Kodin i cili është në fazën finale të miratimit në Kuvend”.
Gjyqtari Maliqi ka renditur edhe hapa tjerë që Gjykata Supreme ka ndërmarrë për të shmangur zvarritjet në zgjidhje të lëndëve, derisa ka folur edhe për angazhimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të cilët këtë çështje e kanë përfshirë në Planin e punës për vitin 2022.
Konferenca dy ditore “Harmonizimi i praktikës gjyqësore: kohëzgjatja e procedurave – standardet dhe praktika gjyqësore”, ka mbledhur bashkë përfaqësues të gjykatave të shkallës së fundit, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, gjyqtarë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe ekspertë ndërkombëtarë, ndërsa punimet do t’i zhvilloi edhe nesër.