Prishtinë, 1 qershor 2022 – Nën drejtimin e kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Peci, njëherësh kryesues i Komisionit Konsultativ për Politikë Ndëshkimore, është mbajtur takimi i këtij komisioni me profesorë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.
Kryetari Peci, sqaroi para të pranishmëve hapat që janë planifikuar dhe që po ndërmerren për revidimin e Udhëzuesit të Përgjithshëm për Politikë Ndëshkimore, duke qartësuar se krahas komenteve dhe vërejtjeve që presin nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, një iniciativë e re synon të përfshijë politikën ndëshkimore edhe në kurrikulën e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Kreu i Gjykatës Supreme bëri me dije për të pranishmit se Komisioni, krahas revidimit të Udhëzuesit në harmoni me Kodin e ri Penal, ka për qëllim të evidentojnë edhe aspektet që aktualisht po paraqesin vështirësi për zbatim. Në këtë drejtim, kanë nisur takimet e Komisionit me gjyqtarë dhe prokurorë në të gjitha gjykatat themelore të Kosovës, ku po evidentohen paqartësitë eventuale që kanë penguar zbatimin e Udhëzuesit, qoftë nga ana e gjyqtarëve apo e prokurorëve.
Sikurse në hartimin e Udhëzuesit, ashtu edhe në revidim, Gjykata Supreme mbështetet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. Në fjalën e tij para të pranishmëve, John Hanley, këshilltar ligjor rezident nga Ambasada Amerikane, Departamenti i Drejtësisë, pohoi mes tjerash, se Kosova po merret shembull nga rajoni sa i përket Udhëzuesit për Politikë Ndëshkimore, për çka edhe mund të krenohet si vend.
Gjatë takimit, profesori i Fakultetit Juridik të UP-së, Haki Demolli, theksoi gatishmërinë e Katedrës Penalo-Juridike, për të përfshirë politikën ndëshkimore në syllabuset e nivelit Bachelor dhe atij Master të studimeve, por edhe bashkëpunimin në aspekte tjera studimore.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile, krahas zërit kritik, me theks për mungesën e
arsyetimeve të duhura të aktgjykimeve, theksuan edhe nevojën që Udhëzuesi të bëhet i obligueshëm, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të përmirësohet cilësia e aktgjykimeve dhe matja e dënimeve.
Përveç anëtarëve të Komisionit Konsultativ për Politikë Ndëshkimore, përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane, profesorëve nga UP, të pranishëm nga shoqëria civile ishin përfaqësues nga BIRN, IKD, GLSP, ROLAG dhe CLARD.