Prishtinë, 20 maj 2022 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci bashkë me gjyqtarin mbikëqyrës të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Ilmi Bajrami, kanë pritur sot në takim kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj dhe menaxherin e projektit TIK/SMIL, Fatmir Rexhepi, me të cilët është diskutuar lidhur me implementimin e Projektit TIK/SMIL në DhPGjS.
Bashkëbiseduesit diskutuan lidhur me implementimin e Projektit SMIL dhe progresin e arritur në lidhje me zbatimin e sistemit SMIL në DhPGjS.
Trajnimet e sistemit SMIL për përdoruesit e Dhomës së Posaçme kanë filluar me datë 13 prill 2022, ndërsa është planifikuar që trajnimet të përfundojnë deri në fund të muajit maj 2022. Në DhPGjS do të trajnohen në total 43 përdorues.
Kryetari Peci dhe kryesuesi Zogaj theksuan rëndësinë e implementimit të sistemit SMIL dhe digjitalizimin e punës në Dhomën e Posaçme, duke ndikuar kështu në ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor të Kosovës.
Implementimin i Projektit SMIL dhe përfundimi i trajnimeve për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, shënon edhe implementimin e këtij projekti në të gjitha gjykatat e vendit dhe përfundimin e trajnimeve për përdorimin e sistemit SMIL në gjyqësorin e Kosovës.