Prishtinë, 17 maj 2022 – Ka filluar punimet Konferenca “Ndërveprimi i juridiksionit gjyqësor dhe kushtetues për garantimin e shtetit të së drejtës”, e organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në të cilën po marrin pjesë krerët dhe gjyqtarët nga Gjykata Supreme e Kosovës dhe ata nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë si dhe krerët dhe gjyqtarët nga Gjykata Kushtetuese vendore dhe ajo e Shqipërisë.
Në fjalën e saj hyrëse, zëvendëskryetarja e Gjykatës Supreme, Mejreme Memaj, shpalosi synimet e Gjykatës Supreme në ruajtjen e konsistencës së praktikës gjyqësore, në kuadër të juridiksionit të saj, si gjykatë e vlerësimit të ligjshmërisë së vendimeve gjyqësore të instancave më të ulëta, përmes shqyrtimit dhe vendosjes sipas mjeteve të jashtëzakonshme, e gjithashtu si gjykatë e vendosjes së standardeve të praktikës gjyqësore, të cilat duhet të respektohen nga gjykatat e instancave më të ulëta.
“Përkundër vendosjes së një standardi, praktika gjyqësore ende përballet me sfida, gjë që ndikon drejtpërdrejt në sigurinë juridike dhe në besueshmërinë e publikut në gjykata”, u shpreh zv/kryetarja Memaj, duke evidentuar mes tjerash se “ndonëse Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, bazuar në vendimet dhe praktikën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, gjykatat vendore, ato të rregullta, kanë më së tepërmi probleme në aplikimin e nenit 6 të Konventës, e cila konsiston në një gjykim të drejtë, sidomos në kohëzgjatjen e gjykimeve si dhe në aplikimin e nenit 8, e cila mbron të drejtat nga fusha e privatësisë. “Për këto dhe aplikimin e neneve tjera të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut, konsideroj se praktika gjyqësore në Kosovë është e nevojshme të harmonizohet edhe më tutje me vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut”.
Tutje, në fjalën e saj, gjyqtarja Memaj, theksoi para të pranishmëve se bashkë me kryetarin e Gjykatës Supreme, “energjinë, fokusin dhe angazhimin kryesor e kemi drejtuar në unifikim të praktikës gjyqësore, në përpjekje për të shmangur çdo cenim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të garantuara me Konventë, dhe në rivendosjen në vend, të së drejtës së shkelur”.
Me fjalë hyrëse, në Konferencë janë paraqitur edhe Gresa Caka-Nimani, kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Vitore Tusha, kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Sokol Sadushi, zëvendëskryetar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, Jan-Axel Voss, zëvendës udhëheqës i Misionit, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë dhe Anja Finke, menaxhere e Projekti për Europën Jug-Lindore/Kaukazin Jugor, IRZ.
Konferenca organizohet me mbështetjen e Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), dhe do të vazhdojë punimet edhe të mërkurën.