Prishtinë, 16 maj 2022 –Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci po merr pjesë në Konferencën e dymbëdhjetë vjetore, të kryetarëve dhe gjyqtarëve të Gjykatave Supreme të Evropës qendrore dhe lindore, e cila këtë vit po mbahet në Pragë të Çekisë.
Karakteristikë e këtij viti është se agjenda e konferencës, pas fjalëve hyrëse nga kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës Çeke, Petr Angyalossy, organizatorët e Konferencës, Julia Fromholz, drejtoreshë ekzekutive e CEELI Institut, dhe gjyqtari amerikan John Walker, ka nisur me sesionin e parë, i cili iu kushtohet gjykatave në Ukrainë.
Në këtë sesion, kryetari i Gjykatës Supreme të Ukrainës, Vsevolod Kniaziev, ka diskutuar për situatën aktuale në Ukrainë, statusin e gjyqtarëve dhe personelit të gjykatave atje, nevojat urgjente dhe afatgjata dhe se rreth asaj se çfarë mund të bëjnë gjykatat tjera.
Çështje tjera me rëndësi që do të trajtoi konferenca, janë; qasja në drejtësi, teknologjia si mjet për të rritur qasjen në drejtësi; marrëdhëniet me median; organizimi i takimeve vjetore me mediat për të gjetur fushat e bashkëpunimi dhe për të ngritur dhe përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të tyre; përdorimi i mediave sociale; edukata qytetare në shkolla dhe universitete; etika gjyqësore dhe disiplinimi i gjyqtarëve dhe i personelit të gjykatave; burimet e rregullave të sjelljes në gjykata; këshilla konfidenciale etike për gjyqtarët; masat e mundshme disiplinore; kërcënimet dhe pavarësia e gjyqësorit; sanksionet penale; sjellja jo e duhur dhe e padisiplinuar në gjykata etj..
Konferenca tradicionale, e dymbëdhjeta me radhë, do t’i zhvilloi punimet sot dhe nesër, me 17 maj.