Prishtinë, 12 prill 2022 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci ka marrë pjesë në Konferencën lansuese të projektit të Këshillit të Evropës “Mbështetje për Gjykatën Kushtetuese në aplikimin dhe përhapjen e standardeve evropiane të të drejtave të njeriut”, ku në cilësinë e panelistit, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Gjykatës që përfaqëson dhe asaj Kushtetuese.
Ai renditi disa prej çështjeve kryesore që meritojnë diskutim të përbashkët mes gjyqtarëve të të dyja gjykatave, me theks në lidhje me ligjin material, në interpretimin e ndryshëm të ligjit, në çështjet procedurale, në vlerësimin e lirë të provave nga ana e gjyqtarit, etj..
Para të pranishmëve, kreu i Supremes, Peci, sqaroi disa nga kompetencat kryesore të Gjykatës Supreme, me theks mendimet juridike, qëndrimet parimore dhe udhëzuesit.
“Konsideroj se Mendimet juridike janë kompetenca më e rëndësishme e Gjykatës Supreme. Mendimet Juridike nxjerrën me qëllim të zbatimit unik të ligjeve, kur dispozitat e caktuara ligjore nuk aplikohen njëjtë nëpër gjykatat e Kosovës”, ndërkaq “me ndryshimet e fundit të Ligjit për Gjykatat, kemi edhe një kompetencë shtesë, që është ajo e nxjerrjes së Udhëzuesve, përmes të cilëve, Gjykata Supreme po e luan rolin e saj në ruajtjen e konsistencës së praktikës gjyqësore. Falë kësaj kompetence, Gjykata Supreme ka përfituar një mënyrë të re të adresimit të çështjeve me rëndësi nga praktika gjyqësore dhe unifikimit të kësaj praktike. Në vitet e fundit, janë nxjerr udhëzues të një rëndësie të posaçme për sistemin, posaçërisht Udhëzuesi i përgjithshëm për Politikë Ndëshkimore”, vuri në pah kryetari Peci.
Në këtë konferencë lansuese të projektit të KE-së, përmes të cilit, përvec Gjykatës Kushtetuese, do të mbështeten edhe gjykatat e rregullta, fjalë rasti mbajtën Frank Power, shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Gresa Caka Nimani, kryetare e Gjykatës Kushtetuese, Antonello De Riu, ambasador i Italisë, Kryesia Italiane e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Jenny Stenberg Sørvold, zv/shefe e Misionit të Ambasadës së Norvegjisë, Christophe POIREL, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Sundimit të Ligjit në KE etj..