Prishtinë, 15 mars 2022 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci ka prezantuar sot para gjyqtarëve të Bosnjës e Hercegovinës, Udhëzuesit e Politikës Ndëshkimore, të nxjerrë nga Gjykata Supreme.
Në këtë takim virtual, të organizuar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, OPDAT në Bosnje dhe Hercegovinë, kanë marrë pjesë gjyqtarë të Gjykatës Supreme dhe të kantoneve atje, të cilët kanë krijuar edhe grupin punues për hartim të udhëzuesve të ngjashëm me udhëzuesit e Gjykatës Supreme.
Ky grup punues ka pasur rastin që të dëgjojë nga kryetari Peci, prezantimin dhe ecurinë e hapave që Gjykata Supreme ka ndërmarrë që prej krijimit të Komisionit Konsultativ për Politikë Ndëshkimore e deri më sot, kur janë nxjerrë udhëzues të përgjithshëm, udhëzues të veçantë për veprat penale kundër korrupsionit, analiza rreth këtyre veprave, raporte, takime dhe angazhime tjera me rëndësi.
Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetje të OPDAT, kanë nisur hapat e parë në këtë drejtim dhe do të marrin praktikat e mira nga Kosova për të përgatitur udhëzues për politikë ndëshkimore, sikurse Kosova, përkatësisht Gjykata Supreme, e cila në këtë rrugëtim ka qenë në vazhdimësi e mbështetur nga Ambasada Amerikane dhe OPDAT në Prishtinë.