Prishtinë, 23 shkurt 2022 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci ka pritur sot në takim kryesuesin e KGjK-së, Albert Zogaj, menaxherin e projektit TIK/SMIL, Fatmir Rexhepi dhe drejtorin e Departamentit të Statistikave, Besnik Ramosaj, me të cilët është diskutuar lidhur me aktivitetet e planifikuara rreth implementimit të funksionit të shpërndarjes automatike të lëndëve, përmes sistemit SMIL në Gjykatë Supreme.
Pas pilotimit të suksesshëm të këtij sistemi në Gjykatën e Apelit, krerët e KGJK-së, e njoftuan kryetarin me planifikimin që ta vënë në funksion shpërndarjen automatike të lëndëve përmes sistemit SMIL edhe në Gjykatën Supreme, duke filluar nga data 1 mars 2022.
Vënia në zbatim e këtij sistemi në Gjykatën Supreme, shënon njëherësh edhe automatizimin e tërësishëm të shpërndarjes së lëndëve në të gjitha gjykatat e vendit dhe largimin manual të shpërndarjes së lëndëve.
Kryetari Peci dhe kryesuesi Zogaj, theksuan rëndësinë e funksionalizimit të shpërndarjes automatike të lëndëve në gjykata, përmes së cilës synohet digjitalizimi i punës si dhe ngritja e transparencës në gjyqësorin e Kosovës.