Prishtinë, 23 shkurt 2022 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci dhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, janë takuar sot me gjyqtarët e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, me të cilët kanë diskutuar sfidat dhe mundësitë e rritjes së efikasitetit në zgjidhjen e lëndëve.
Kryetari Peci theksoi nevojën e reduktimit të lëndëve të vjetra, bashkimin e lëndëve dhe unifikimin e praktikës gjyqësore në Dhomë. Ai i njoftoi gjyqtarët se së shpejti do të fillohet me zbatimin e sistemit informativ për menaxhimin e lëndëve (SMIL), përmes të cilit do të eliminohen disa prej problemeve që e kanë shoqëruar Dhomën.
Edhe kryesuesi i KGJK-së, Zogaj ka kërkuar koordinim më të mirë nga Dhoma, duke theksuar se nuk i nënvlerëson rezultatet e fundit, që dëshmojnë për një efikasitet më të lartë në zgjidhjen e lëndëve, krahasuar me vitet paraprake. Ai ka kërkuar nga gjyqtari mbikëqyrës i Dhomës, Ilmi Bajrami, që të angazhohet në hartimin e një plani veprimi për zgjidhje të lëndëve të vjetra, por edhe në analizim e plane specifike për rritje të efikasitetit të përgjithshëm.
Kryesuesi ka sqaruar para gjyqtarëve të pranishëm se pas nënshkrimit të Deklaratës së Zotimit me Ministrinë e Drejtësisë, ku njëra nga pika e zotimit parasheh edhe reformimin e Dhomës, do të punohet në drejtim të zgjidhjes më të mirë të statusit të kësaj Dhome.
Gjyqtari mbikëqyrës i Dhomës, theksoi sfidat e hasura në dy vitet e fundit, që kryesisht përfshijnë ballafaqimin me pandeminë Covid 19 dhe çështje tjera që kërkojnë koordinim mes vetë gjyqtarëve, mes gjyqtarëve dhe stafit mbështetës etj..
Pas këtij takimi, kryetari, kryesuesi dhe gjyqtari mbikëqyrës takuan edhe bashkëpunëtorët e Dhomës, nga të cilët u kërkua angazhim më i madh, koordinim me gjyqtarët dhe rezultate konkrete në punën e tyre.