Prishtinë, 16 dhjetor 2021 – Me temën “Reforma në politikën ndëshkimore”, kryetari i Gjykatës Supreme, njëherësh kryesues i Komisionit Konsultativ për Politikë Ndëshkimore, Enver Peci, bashkë me anëtarët e këtij komisioni kanë mbajtur sot takim me shoqërinë civile, përkatësisht me përfaqësues të organizatave jo-qeveritare që monitorojnë sistemin e drejtësisë në vend.
Kryetari Peci, në fjalën e tij hyrëse, e cilësoi të jashtëzakonshëm kontributin e shoqërisë civile për sistemin e drejtësisë, duke theksuar nevojën që ky bashkëpunim të specifikohet në të ardhmen, në kuptim të disa informacioneve të dobishme për Komisionin.
Ai e falënderoi Ambasadën Amerikane që ka mbështetur në vazhdimësi Gjykatën Supreme lidhur me ekspertizën e sjell, përpilimin e Udhëzuesve për Politikë Ndëshkimore dhe vetë komisionin, si dhe UNDP-në dhe organizatën ROLAG, e cila monitoron zbatimin e udhëzuesve të Gjykatës Supreme.
“Ne, si komision, kemi nevojë që nga monitoruesit e OJQ-ve, të marrim in-pute gjatë monitorimit të gjykimeve. Na interesojnë disa çështje me rëndësi, si p.sh., sa përfshihen në arsyetimin e dënimeve edhe rrethanat që nuk përmenden në gjykim. Çka po prezantohet nga prokurori, mbrojtja dhe çka po arsyetohet në vendimet gjyqësore. Kjo është me rëndësi për ne, që të shohim se a po i përmbahen gjyqtarët Udhëzuesit dhe njëkohësisht a po i japin arsyet e prezantuara – të faktuara, apo vetëm po imagjinohen ato rrethana të përmendura, pa u vërtetuar”, specifikoi kryetari Peci.
Përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane, John Hanley, këshilltar ligjor rezident, mes tjerash, theksoi si të rëndësishëm hapin e radhës që ka ndërmarr kryetari Peci me drejtues të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, që është ideja për inkorporimin e politikës ndëshkimore në plan-programet e këtij fakulteti, në mënyrë që gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm të jenë të familjarizuar me udhëzuesit dhe me politikën ndëshkimore në vend.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile theksuan nevojën që të forcohen mekanizmat që detyrojnë gjyqtarët të zbatojnë udhëzuesit e Gjykatës Supreme duke ndërlidhur këtë me vlerësimin e performancës së tyre dhe me zbatimin e masave ligjore, ndërkaq në të ardhmen, udhëzuesit të bëhen të detyrueshëm. Vërejtja e tyre ishte në dënimet e shqiptuara me kusht e të paarsyetuara, mos-arsyetimin e rrethanave rënduese dhe lehtësuese. Po ashtu, u shpreh nevoja e kufijve në diskrecionin e gjyqtarëve në praktikë.
Anëtarët e komisionit e theksuan nevojën që raportimi i OJQ-ve të përfshijë edhe rastet pozitive, kur gjyqtari e ka zbatuar udhëzuesin, e ka arsyetuar profesionalisht një vendim, në mënyrë që kjo të shërbejë për të tjerët, qoftë si nxitje apo si shembull për t’u ndjekur.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues nga BIRN, GLSP, ROLAG, CLARD dhe ATRC.