Prishtinë, 09 dhjetor 2021 – Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen penale kundër të pandehurit K.G. nga komuna e P., për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, e ka aprovuar si të bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të Prokurorit të Shtetit, të paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, dhe ka konstatuar se këto aktgjykime janë marrë me shkelje të ligjit penal, nga neni 385 pika 4 të KPPK-së.
I akuzuari në kohën kritike, në cilësinë e kryesuesit të Asamblesë Komunale në Prizren ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare duke e keqpërdorur pasurinë publike, me qëllim të përfitimit të dobisë për personat juridik “TV Besa” dhe “TV Opinion”, në atë mënyrë që pa procedurat e tenderimit me të dy personat juridik, më datën 08.01.2015 ka lidhur kontrata për transmetim/ritransmetim të seancave të Asamblesë Komunale dhe pastaj janë autorizuar pagesat, për “TV Besa” në shumë prej 1.750 euro ndërsa për “TV Opinion” në shumë prej 6.700 euro, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik 04/L-42 Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive, nr.03/L-048 dhe Rregulloren e Thesarit 01/2013 për Shpenzimet e Parasë Publike.
Kolegji i Gjykatës Supreme, mes tjerash gjen se esenca e veprimit të kundërligjshëm, të të pandehurit, është që nuk ka mundësuar konkurrencë ndaj të gjithë operatorëve, të cilët i plotësojnë kushtet ligjore për të marrë pjesë në tenderim-konkurrencë. Ai ka mundësuar që drejtpërsëdrejti, punën të fitojnë operatorët e caktuar, me një kontratë të drejtpërdrejt në mes tij dhe operatorëve dhe për këtë ka qenë në dijeni të plotë. Andaj, te i pandehuri ka ekzistuar dashja e cila përfshinë dijeninë e tij se po e shfrytëzon pozitën e tij zyrtare, po i tejkalon kompetencat e tij dhe faktin se me këto veprime ai mundëson përfitim të kundërligjshëm për personin tjetër.
Nga këto arsye Gjykata Supreme, ka konstatuar se aktgjykimet e kundërshtuara janë marrë me shkelje të ligjit penal ndaj të pandehurit, shkelje kjo nga neni 385.pika 4.të KPPK sepse me aplikimin e drejtë të ligjit penal, veprimet e tij duhej të konsideroheshin si vepër penale dhe kjo shkelje, në bazë të nenit 438 par.2 të KPPK, vetëm u konstatua, pa ndikuar në vendimin e formës së prerë.
Vendimi PML nr. 224.2021, eshte i publikuar ne webfaqen e gjykates.