Slloveni, 19 tetor 2021 – Me ftesë të kryetarit të Gjykatës Supreme të Sllovenisë, Damijan Florjancic, kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Enver Peci po merr pjesë në Konferencën e krerëve të drejtësisë nga Evropa Qendrore dhe Lindore, e cila po zhvillon punimet me 18 dhe 19 tetor 2021, në Slloveni.
Me këtë rast, kryetari Peci, ka diskutuar lidhur me pavarësinë e gjyqësorit, si një nga pikat kryesore të agjendës në konferencë dhe për rolin e Gjykatës Supreme si instanca e fundit e të gjithë sistemit gjyqësor, detyrë themelore e të cilës është dhënia e drejtësisë.
“Është e nevojshme që shteti të zotërojë instrumentet e tij për të siguruar vullnetin normativ të vlefshëm për çdo rast konkret, gjë që lidhet sidomos me ekzistencën e gjyqësorit. Nga kjo pikëpamje, roli i gjykatave të rregullta për interpretimin e legjislacionit të brendshëm të Republikës së Kosovës, është i padiskutueshëm. Kjo është theksuar edhe nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, theksoi kreu i Supremes duke shtuar se mbarëvajtja e këtij procesi është e lidhur ngushtë me pavarësinë e pushtetit gjyqësor, e cila sipas tij, përbën kushtin themelor për respektimin e parimit të shtetit të së drejtës. “Sipas qëndrimit të përgjithshëm, parimi i shtetit të së drejtës në lidhje me atë të ndarjes së pushteteve nënkupton garantimin e të drejtave e të lirive themelore të njeriut nëpërmjet një gjyqësori të pavarur e të paanshëm. Në këtë kontekst, gjyqësori, duhet kuptuar e pranuar si një gjyqësor që vetëqeveriset, vetë-kontrollohet e vetë-korrigjohet”.
Tema tjera diskutimi në këtë konferencë janë edhe efikasiteti i sistemit gjyqësor, trajtimi i duhur i rasteve të korrupsionit; E drejta krahasuese në praktikën gjyqësore të Gjykatave Supreme; Sfidat e rihapjes së gjykatave pas pandemisë; transparenca dhe raportet me publikun/median, Qasja në Drejtësi; Drejtësia procedurale; Vendndodhja e gjykatave për të maksimizuar qasjen; Qasja dixhitale, përparësitë dhe mangësitë e saj etj..