Prishtinë, 23 shtator 2021 – Gjykata Supreme ka lansuar sot Udhëzuesin e veçantë “Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare”.
Me një fjalë rasti para të pranishmëve, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka sqaruar se “Ky është Udhëzuesi i tretë i Gjykatës Supreme, në fushën e politikës ndëshkimore, i cili është realizuar me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe të UNDP-së, të cilëve u jemi thellësisht mirënjohës dhe falënderues”.
Udhëzuesin e veçantë, kryetari Peci e ka cilësuar si një çelës të artë për profesionistët e sistemit të drejtësisë, pasi, zbatimi i tij lehtëson vendosjen e rasteve me drejtësi.
“Zbatimi i këtij Udhëzuesi është rruga më e thjeshtë për të shmangur vendimet e paarsyetuara mirë, vendimet e dobëta e jo objektive, të paqarta e kontradiktore. Zbatimi i këtij Udhëzuesi shmang kthimin e çështjeve në rigjykim, shmangë mangësitë dhe mospërputhjet rreth caktimit të dënimit dhe rrjedhimisht kthen besim në gjyqësor”, ka theksuar kreu i Supremes.
Ndërkaq, në fjalën e tij të rastit, i ngarkuari me punë të Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Nicolas Giacobbe, theksoi mes tjerash, se “Vetëm përmes zbatimit të udhëzuesit për politikë ndëshkimore, mundësohet që zyrtarët e korruptuar qeveritarë dhe korruptuesit – pa marrë parasysh sa me ndikim – të përballen vazhdimisht me ndëshkime të rrepta. Udhëzuesi për politikë ndëshkimore në rastet e korrupsionit do t’ju ndihmojë të bëni të njëjtën gjë”. Giacobbe, bëri thirrje që çdo gjykatës ta shfrytëzojë këtë udhëzues.
Para të pranishmëve, me fjalë rasti është paraqitur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka vlerësuar punën në hartimin e Udhëzuesit, duke pohuar mes tjerash se “si ministre e Drejtësisë do të angazhohem fuqishëm që brenda kompetencave t’i fuqizojmë institucionet e drejtësisë, në luftën e tyre ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, edhe përmes projekt – ligjeve, përmes udhëzimeve të ndryshme apo akteve nënligjore, por edhe përmes buxhetit”.
Në emër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, mbështetje për zbatim të Udhëzuesit, ofroi zëvendës/kryesuesi Qerim Ademaj, i cili theksoi se “Trajtimi i njëjtë dhe unifikimi i praktikave për politikat ndëshkimore duke i specifikuar veçanërisht lëndët e korrupsionit, është edhe një tjetër hap i suksesshëm që tregon gatishmërinë tonë si gjyqësor në luftën kundër korrupsionit”. Në këtë drejtim, ai shtoi se “Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të punojë që ta bëjë pjesë të kritereve për vlerësim të performancës së gjyqtarëve edhe zbatimin e Udhëzuesit për Politikë Ndëshkimore”.
Në fund të ceremonisë, specialistja e lartë ligjore, e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Benina Kusari, ka elaboruar në pika të shkurta Udhëzuesin.
Udhëzuesi “Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare”, është realizuar me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe UNDP-së, ndërkaq ceremonia e lansimit është mbajtur me prani të kufizuar fizike, por me mundësi të përcjelljes përmes platformës online Zoom dhe ndjekjes direkte ‘live stream’, në faqen e Gjykatës Supreme në rrjetin social Facebook.