Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci sot është zgjedhur kryesues i Asamblesë së kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës.
Kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha, kërkoi lirimin nga detyra e Kryesuesit të Asamblesë, për shkak të angazhimeve dhe reformës që është duke u zhvilluar në gjykatën që drejton, me ç’rast Asambleja miratoi lirimin nga detyra dhe pas procesit të përzgjedhjes, me votim të fshehtë zgjodhi Kryesues të Asamblesë, kryetarin e Gjykatës Supreme, Enver Peci.
Gjatë këtij takimi, kryetarët e gjykatave dhe gjyqtarët mbikëqyrës diskutuan rreth ndikimit të pandemisë COVID-19 në praktikën e tanishme gjyqësore dhe për efektet e saj në të ardhmen, veçanërisht në lidhje me grupet e cenueshme dhe qasjen e tyre në drejtësi, duke bërë me dije, njëkohësisht, se KGJK dhe gjykatat po vazhdojnë të punojnë për zbutjen e problemeve në sistemin gjyqësor të shkaktuara nga pandemia.
Anëtarët e Asamblesë diskutuan edhe një varg çështjesh me rëndësi, siç ishte përfshirja e të dhënave në sistemin e projektit NCCR, në mënyrë që gjyqësori të ketë një sistem të duhur në dispozicion me të dhëna të plota dhe pa gabime.
Kryesuesi Zogaj theksoi se NCCR në Kosovë është një projekt, zbatimi i të cilit është me rëndësi parësore për gjyqësorin e Kosovës dhe të gjitha institucionet e tjera përkatëse.
Pika tjera diskutimi ishin revokimet e urdhër arresteve të lëshuara nga gjyqtarët; procedura për lëshimin e letër – rreshtimeve ndërkombëtare në Interpol; urdhëresat për ekspertim mjekoligjor; Hartimi i planit të punës për lëndët më të vjetra se njëzet e katër (24) muaj; çështja e garancisë bankare në procedurën përmbarimore; referimi i rasteve gjyqësore për ndërmjetësim; hartimi i një udhëzuesi lidhur me çështjen e shpenzimeve të shërbimeve telefonike dhe shfrytëzimit të veturave zyrtare; kompletimi i dosjeve të lëndëve nga ana e gjykatave themelore etj..
Për të gjitha pikat e diskutimit u dhanë ide konkrete për zbatim dhe veprim.