Prishtinë, 15 tetor 2020 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci po merr pjesë në Forumin e Shtatë Rajonal për Sundimin e Ligjit në Evropën Juglindore, i cili, këtë vit ka temë diskutimi “Covid 19 dhe Konventa Evropiane për të Drejta të Njeriut”.
Ky Forum po zhvillon punimet edhe virtualisht, duke përfshirë lidhjen online nga Strasburgu, të presidentit dhe gjyqtarëve të Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut në Strasburg, kryetarë të gjykatave supreme, të atyre kushtetuese, avokatë të popullit e gjyqtarë nga kryeqytetet; Tirana, Shkupi, Sarajeva Beogradi, Podgorica e Zagrebi.
Në konferencën e organizuar në Prishtinë, kryetari Peci ka mbajtur një fjalë mirëseardhjeje, duke çmuar nxitjen e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si fokus i këtij forumi, bashkëpunimin rajonal për zhvillimin e vazhdueshëm të sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe ndihmën shumë domethënëse në procesin e integrimit në BE.
“Temat e forumit, konsideroj se janë një risi me shumë interes të qasjes të secilit shtet në adresimin e problemeve me pandeminë COVID -19 në raport me të drejtat që mbrohen nga KEMDLNJ”, theksoi kryetari.
“Pandemia, sikurse në çdo sferë të jetës, ka ndikuar edhe në gjyqësorin kosovar, në kuptim të anulimit të seancave gjyqësore, të zvarritjeve të ndryshme procedurale, të grumbullimit të lëndëve të pazgjidhura, rrjedhimisht duke ndikuar në mos-përmbushjen e misionit të saj, për gjykim në kohë të arsyeshme. Masat e ndërmarra nga ekzekutivi për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid -19, sanksionet përkatëse dhe shpallja e zonave të karantinimit, kanë qenë sfidë edhe e sistemit gjyqësor në Kosovë, ndaj konsideroj se është në interes të diskutohen në këtë forum”, pohoi kreu i Gjykatës Supreme, duke vënë në pah se gjendja me pandemi ka atakuar të drejtat e qytetarëve në Kosovë, dhe jo vetëm. “Ndaj, si krerë të drejtësisë, përveç që ndajmë shqetësimin me ta, kemi ndërmarrë hapa konkret për të adresuar kërkesat e palëve përmes vendimeve dhe udhëzimeve përkatëse lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut”.
Tutje, në fjalën e tij të rastit, kryetari Peci, precizoi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ka integruar brenda vetës zbatimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke krijuar kështu mundësinë për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, edhe në këtë kohë pandemie.
Para lidhjes virtuale me konferencën kryesore të mbajtur njëkohësisht në Baden-Baden, me presidentin dhe gjyqtarët e Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut, fjalë përshëndetëse nga Prishtina, kanë mbajtur edhe ambasadoret e Suedisë dhe të Holandës në Kosovë, Karin Hermnmarck Ahliny dhe Carin Lobbezoo.
Ky Forum është organizuar nga qendra “AIRE”, dhe organizata “Civil Rights Defenders” me mbështetje të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Qeverisë së Suedisë, Fondacionit Konrad Adenaur dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të vendeve të Ulëta.