Prishtinë, 24 shtator 2020 – Është mbajtur seanca e përgjithshme e Gjykatës Supreme, gjatë së cilës, me vota unanime janë miratuar tri udhëzime;
• Udhëzimi për aplikimin e dispozitave ligjore në procedurën kundërvajtëse
• Udhëzimi lidhur me Procedurën Përmbarimore për zbatimin e vendimeve gjyqësore lidhur me gjobat, si dhe
• Udhëzimi lidhur me kompetencën e gjykatës dhe përmbaruesit privat në procedurën përmbarimore.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci ka shtjelluar para gjyqtarëve të pranishëm draft-Udhëzimin lidhur me shqiptimin e dënimit me gjobë për kundërvajtjet e trafikut rrugor apo kundërvajtje tjera të parapara me ligj, ku parashihet pagesa e gjysmës së gjobës. Sipas kryetarit, gjykatat themelore, sipas Ligjit për Kundërvajtje, me rastin e vendosjes me aktgjykim lidhur me shqiptimin e dënimit me gjobë për kundërvajtjet e trafikut rrugor apo kundërvajtje tjera, nuk janë të lidhura me ekzekutimin e dënimit me gjobë e as me pagesën e gjysmës së gjobës, pasi që kjo është kompetencë vetëm e organit të kundërvajtjes.
Në seancë është diskutuar edhe draft-Udhëzimi i përgatitur nga dega civile e Gjykatës Supreme, lidhur me dy dispozita kundërthënëse të Ligjit për Kundërvajtje, nenit 30 dhe 163, i cili udhëzim qartëson se për zbatimin e detyrueshëm të aktvendimeve të gjykatave themelore – divizionet për kundërvajtje, që kanë të bëjnë me shqiptimin e gjobave në të holla, janë kompetent përmbaruesit privat në Republikën e Kosovës.
Një tjetër udhëzim me rëndësi, i cili u miratua me vota unanime në seancë, është Udhëzimi lidhur me kompetencën e gjykatës dhe të përmbaruesit privat në procedurën përmbarimore, përmes të cilit qartësohet se “…Gjykata është kompetente të vendos në procedurën e përmbarimit dhe të zbatojë përmbarimin e vendimeve gjyqësore, vetëm lidhur me të gjitha çështjet nga e drejta familjare, dhe kthimin e punëtorëve dhe shërbyesve civilë në punë dhe kompensimet tjera”, ndërkaq, në udhëzim precizohet se vendimet e institucioneve tjera, siç janë vendimet e Inspektoratit të Punës etj., edhe nëse kanë të bëjnë me çështjet nga e drejta familjare, dhe kthimin e punëtorëve dhe shërbyesve civilë në punë dhe kompensimet tjera, gjykatat nuk kanë kompetencë t’i zbatojnë në procedurën e përmbarimit gjyqësor.