Promovohet “Përmbledhja nga praktika gjyqësore e Gjykatës Supreme, në kontestet pronësore”

Promovohet “Përmbledhja nga praktika gjyqësore e Gjykatës Supreme, në kontestet pronësore”

Prishtinë, 7 maj 2019 – Është promovuar “Përmbledhja nga praktika gjyqësore e Gjykatës Supreme, në kontestet pronësore”, e cila është realizuar falë bashkëpunimit të Gjykatës Supreme me Programin për të Drejta Pronësore të USAID në Kosovë. Në ceremoninë e promovimit, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti duke…

Prishtinë, 7 maj 2019 – Është promovuar “Përmbledhja nga praktika gjyqësore e Gjykatës Supreme, në kontestet pronësore”, e cila është realizuar falë bashkëpunimit të Gjykatës Supreme me Programin për të Drejta Pronësore të USAID në Kosovë.

Në ceremoninë e promovimit, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti duke potencuar rëndësinë e kësaj përmbledhjeje, e cila, sipas tij, synon që të lehtësojë qasjen e secilit përdorues në praktikën e Gjykatës Supreme.

“Qëllimi ka qenë që të realizohet një përmbledhje më e kompletuar, ku përveç përzgjedhjes së vendimeve, njëkohësisht të bëhet edhe një konstatim i përgjithshëm, sa i përket bazës ligjore në zgjidhjen e këtyre kontesteve. Konsideroj se në përmbajtje dhe strukturë, kjo përmbledhje paraqet një mënyrë të re të adresimit të çështjeve nga praktika gjyqësore, përmes së cilës, Gjykata Supreme synon të lehtësojë qasjen e secilës gjykatë, përkatësisht secilit përdorues”, u shpreh kryetari.

  Sipas tij, kjo përmbledhje mund të shërbejë si burim që ndihmon gjyqtarët të interpretojnë në mënyrë të duhur normën ligjore, ndihmon në zhvillimin e procesit gjyqësor dhe në kualifikimin e fakteve të çdo rasti kontestues në mënyrë adekuate… Tutje, kreu i Supremes theksoi synimin e gjykatës që drejton, duke sqaruar para të pranishmëve se vendosja e standardeve të praktikës gjyqësore, të cilat duhet të respektohen nga gjykatat e instancave më të ulëta, njëkohësisht, ka për qëllim, rritjen e performancës gjyqësore përmes rritjes së efikasitetit, rritjes së cilësisë, rritjes së transparencës dhe rritjes së besueshmërisë së publikut në gjyqësor. “Në kuadër të juridiksionit të Gjykatës Supreme, me ndihmën e USAID-it, respektivisht Projektit Për të Drejta Pronësore, Gjykata Supreme e Kosovës, përmes kësaj përmbledhje të praktikës gjyqësore për çështje pronësore, adreson disa nga çështjet më të përditshme dhe më sfiduese për të gjitha nivelet e gjykatave”, nënvizoi ai.



Në anën tjetër, përfaqësuesi i programit të USAID, për të Drejta Pronësore, Brian Kemple, shpalosi problematikën që ekziston në Kosovë, në fushën pronësore, duke sqaruar para të pranishmëve iniciativat që ky projekt ka ndërmarrë me gjykatat në Kosovë.

“Kemi bashkëpunuar me Gjykatën Supreme për të realizuar përmbledhjen që keni në duar, e cila besoj se do t’i ndihmojë gjyqtarët të merren në mënyrë efektive me këto lloj lëndësh”, pohoi ai.

Në kuadër të kësaj përmbledhje, janë përfshirë disa nga institutet kryesore që i referohen çështjeve pronësore, janë dhënë komente për mënyrën e zbatimit të dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me institutin e përzgjedhur, janë përmbledhur disa raste, të të gjitha instancave gjyqësore, për secilin institut dhe janë dhënë komente për secilin rast të përmbledhur.

Fokusi i përmbledhjes është ofrimi zgjidhjeve meritore për çështje të ndryshme pronësore. Përmbajtja e komenteve për zbatimin e dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me institutet që janë përfshirë në kuadër të kësaj përmbledhje për çështje pronësore  dhe komente për përmbledhjen e rasteve, synojnë që të shërbejnë për përdoruesit si rekomandime, jo vetëm për përfundimet meritore të çështjeve që ata vendosin, por edhe si rekomandime që udhëzojnë gjyqtarët për standardet që duhet të garantohen nga ana e gjykatave gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore.

Në hartimin dhe zhvillimin e kësaj përmbledhje, krahas autorëve kanë kontribuar edhe një numër i konsiderueshëm i bashkëpunëtorëve, ndaj në emër të Gjykatës Supreme, kryetari Enver Peci, falënderoi, përveç gjyqtarëve, Shukri Sylejmani, Erdogan Haxhibeqiri, Isa Kelmendi dhe gjyqtarin e Gjykatës së Apelit, Albert Zogaj, si autorët kryesorë të përmbledhjes, edhe udhëheqësin e Projektit nga USAID, Enver Fejzullahu, hulumtuesit; Etleva Kelmendi, Bajram Cacaj, Agnesa Abdyli, Fikrije Azemi dhe Drita Sadiku.