Prishtinë, 11 mars 2019 – Nën udhëheqjen e kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Peci, të hënën është mbajtur seanca e përgjithshme e Gjykatës Supreme, ku morën pjesë gjyqtarët e Gjykatës Supreme, ata të Dhomës së Posaçme dhe të Kolegjit të Apelit të kësaj gjykate. Gjatë seancës u shqyrtuan kërkesat për mendime juridike, me ç’rast, me…
Prishtinë, 11 mars 2019 – Nën udhëheqjen e kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Peci, të hënën është mbajtur seanca e përgjithshme e Gjykatës Supreme, ku morën pjesë gjyqtarët e Gjykatës Supreme, ata të Dhomës së Posaçme dhe të Kolegjit të Apelit të kësaj gjykate.
Gjatë seancës u shqyrtuan kërkesat për mendime juridike, me ç’rast, me shumicë votash, u miratua një mendim juridik lidhur me llogaritjen e afatit të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit, në rastin e shqiptimit të dënimit kumulativ, me burg dhe me gjobë, për të njëjtën vepër penale.
Ndërkaq, pas ndryshimeve të fundit në Ligjin për Gjykatat, sipas të cilave, Gjykata Supreme mund të nxjerrë udhëzime lidhur me zbatimin e ligjit, bazuar në kërkesën e Policisë së Kosovës për mendim juridik, në lidhje me lëshimin e vërtetimeve për të kaluarën kriminele të kryesit të mitur të veprës penale dhe shlyerjen e dënimit, dega penale e Gjykatës Supreme, ka përgatitur një Udhëzim, i cili u miratua me shumicë votash nga gjyqtarët e pranishëm.
Ndryshe, kryetari i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Sahit Sylejmani, theksoi domosdoshmërinë e miratimit më të shpejtë të Ligjit për DhPGjS, pasi në mungesë të tij, që nga përfundimi i misionit të EULEX-it, kjo Dhomë ka mbetur pa shqyrtuar asnjë lëndë.
Ndaj, me miratimin e të gjithë gjyqtarëve të pranishëm, u vendos që Gjykata Supreme t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës me kërkesën që miratimi i këtij ligji, në lexim të dytë, të shqyrtohet me prioritet.