Selanik, 4 tetor – Nën organizimin e organizatës German Foundation for International Legal Cooperation (IRZ), kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama – Hajrizi, të shoqëruar nga gjyqtarët e të dyja gjykatave dhe nga bashkëpunëtorët profesional, po marrin pjesë në punëtorinë me temën “Ankesa kushtetuese dhe zhvillimet e fundit në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së”, e cila po mbahet në Selanik të Greqisë.
Në fjalën hyrëse, të dy kryetarët kanë vlerësuar lartë organizimin e kësaj punëtorie, në dobi për bashkëpunimin e ndërsjellët dhe për zgjerimin e njohurive rreth praktikës së fundit gjyqësore të GJEDNJ-së.
Kryetari Peci foli për rëndësinë e vendimeve të Gjykatës Evropiane për Të Drejta të Njeriut, të cilat, sipas tij, po kanë ndikim pozitiv në vendimet e gjykatave vendore. Bashkëpunimin mes këtyre dy gjykatave e ka cilësuar të veçantë edhe eksperti nga Gjermania, prof..dr. Jan Bergmann, kryetar i trupit gjykues në Gjykatën e Lartë Administrative të Baden – Wurttemberg, profesor i të Drejtës Publike, Kushtetuese dhe Evropiane në Universitetin e Shtutgardit.
Temat kryesore të diskutimit në këtë punëtori dy-ditore janë; Dogmatika evropiane për të Drejta të Njeriut; Burimet e të Drejtave të Njeriut në Evropë; Karta Evropiane për të Drejta Themelore; Skema e Vlerësimit që Zbatohet për Liritë dhe të Drejtat Gjyqësore; Skema e Vlerësimit që zbatohet për të Drejtat e Barazisë, Kërkesat për Pranueshmërinë e një ankese kushtetuese; Rastet e Fundit të Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut përfshirë të drejtën për jetën; ndalimi i torturës, e drejta për liri dhe siguri, e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare, liria e mendimit, ndërgjegjes dhe e fesë, liria e shprehjes, ndalimi i diskriminimit etj..