Mbahet takimi i parë i Komisionit për Politikën Ndëshkimore

Mbahet takimi i parë i Komisionit për Politikën Ndëshkimore

Prishtinë, 07 shtator 2018 – Nën udhëheqjen e kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Peci, sot është mbajtur takimi i parë i Komisionit Konsultativ për Politikën Ndëshkimore në Kosovë, i cili përbëhet nga kryetari Enver Peci, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyqi, gjyqtari i Gjykatës Supreme, Agim Maliqi, gjyqtarja e Gjykatës së Apelit, Mejreme Memaj, drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Valon Kurtaj dhe kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli.

Gjatë këtij takimi, kryetari i ka njoftuar anëtarët e komisionit, lidhur me hapat e parë që janë bërë, në drejtim të funksionalizimit të punës së këtij komisioni.

Kreu i Supremes, ka theksuar para të pranishmëve se angazhimi i këtij komisioni nuk ka për qëllim ndikimin në vendimmarrje të gjyqtarëve, por krijimi e një pasqyre rreth politikës ndëshkimore në vend dhe planifikimin e hapave të mëtutjeshëm në implementimin e Udhëzuesit për Politikën Ndëshkimore.

Kryetari Peci ka vënë në dukje se qëllimi kryesor i këtij Komisioni është përfitimi i Kosovës nga kjo nismë, pasi siç potencoi ai “Jemi të vetëdijshëm se politika ndëshkimore në Kosovë nuk është unike, sa i përket shqiptimit të dënimeve, dhe kjo, përveç që është shkelje e të drejtave të njeriut, ka ndikuar edhe në uljen e besimit të publikut në gjyqësor. Matja dhe caktimi i dënimeve të ndryshme për veprat përafërsisht të njëjta penale, me rrethana dhe kushte të barabarta, përveç problemeve që na shkakton, po ka ndikim negativ në opinion duke krijuar bindjen e një drejtësie selektive”, vuri në pah kryetari. 

Në kuadër të këtij komisioni është hartuar një Qarkore pёr implementimin e Udhëzuesit për Politikën Ndёshkimore, e cila nuk është obliguese, por orientuese në kuptim të implementimit të Udhëzuesit për Politikën Ndëshkimore.

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/foto 7.jpg

Gjyqtari dhe njëherësh anëtari i komisionit, Agim Maliqi ka sqaruar para të pranishmëve se gjatë mbajtjes së trajnimeve me gjyqtarë, prokurorë, avokatë, lidhur me udhëzuesin për politikën ndëshkimore në Kosovë, ka pasur vlerësime pozitive nga këta të fundit, të cilët kanë larguar dilema të shumta lidhur me caktimin e dënimeve. Këto trajnime janë vlerësuar të nevojshme posaçërisht për gjyqtarët e rinj.

Anëtarët e komisionit  kanë theksuar nevojën që të precizohet lloji i lëndëve, të cilave do t’ju analizohet politika ndëshkimore, dhe është kërkuar që aktgjykimet që do të përdoren si mostër, të evidentohet nëse kanë qenë në përputhje me Udhëzuesin për Politikën Ndëshkimore.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka potencuar rëndësinë e krijimit të një “politike unifikuese të dënimeve”. Sipas tij, “Kështu rritet autoriteti i drejtësisë dhe besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe është një garant i palëve në procedurë se ka një drejtësi të barabartë dhe jo një drejtësi selektive”. Kryeprokurori ka shtuar se “Udhëzuesin për politikën ndëshkimore duhet ta marrin parasysh edhe komisionet për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, që gjatë vlerësimit të punës profesionale të tyre, të shihet a kanë vepruar në përputhje me instruksionet, të cilat vijnë nga udhëzuesi për politikën ndëshkimore”.

Gjatë takimit është propozuar mbajtja e një tryeze të përbashkët me të gjithë kryetarët e gjykatave dhe tw degëve tw tyre, kryeprokurorët dhe avokatët, në mënyrë që ata të njihen me gjetjet e komisionit për politikë ndëshkimore.

Sipas rendit të ditës, me propozimin dhe aprovimin e anëtareve të komisionit, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci është zgjedhur edhe kryesues i këtij komisioni.

Punën e këtij komisioni po e mbështet Ambasada Amerikane në Kosovë dhe UNDP.